Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mike Pence u intervistua në hetimin ndaj Trumpit

Mike Pence

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka dëshmuar si pjesë e hetimeve në lidhje me përpjekjet e Donald Trumpit për të mos pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Pence ka dëshmuar për më shumë se shtatë orë para një jurie federale në Washington, shkruan AP. 

Ai ishte i ftuar për të dëshmuar nën betim. Intervistimi i tij nga prokurorët është mbajtur me dyer të mbyllura. Ai është paraqitur në gjykatë vetëm pak orë pasi gjykatat e apelit refuzuan kërkesën e ekipit të Trumpit për të pamundësuar dëshminë e Pence.

Dëshmia e ish-zëvendëspresidentit cilësohet si një prej kryesoreve në hetimin dyvjeçar që po zhvillohet.

Në këtë proces janë duke u mbledhur prova nëse ish-presidenti Trumpi dhe aleatët e tij thyen ligjin federal në përpjekjet e tyre për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i ka fituar presidenti i tanishëm, demokrati Joe Biden.