Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Metsola: Të gjendet një zgjidhje për pasojat humanitare në Gaza

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka hapur seancën plenare të së hënës në Strasburg duke e pasur në qendër të fjalimit të saj luftën në Gaza.

Metsola e ka quajtur situatën të tmerrshme.

“Situata në Izrael, në Gaza dhe më gjerë në Lindjen e Mesme është në krye të të gjitha shqetësimeve tona. Realiteti në terren është i tmerrshëm. Është tragjike dhe dëshpëruese, jetët e pafajshme janë në rrezik”, ka thënë ajo.

Gjatë adresimit të saj presidentja e PE-së përmendi gjithë çfarë Hamasi ka bërë në Izrael duke e quajtur grup terrorist.

“Më 7 tetor bota u zgjua nga sulmi më i keq terrorist ndaj familjeve në Izrael në breza. Hamasi kreu vrasje masive, rrëmbime, përdhunime, tortura, gjymtime dhe përdhosje të të vdekurve. Nuk ka asnjë justifikim për këtë dhe jam krenare që ky parlament mblodhi të gjithë së bashku për të treguar solidaritet me viktimat dhe për të nënvizuar se Hamasi është një grup terrorist që nuk përfaqëson aspiratat legjitime të popullit palestinez. I pengon ata dhe duhet ndalur. Ky është një dallim që ne e kemi bërë gjithmonë dhe duhet të vazhdojmë ta nënvizojmë”, ka shtuar Metsola. Ajo ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje edhe për pasojat humanitare në Gaza.