Në atë që mund të jetë fjalimi i fundit në Parlamentin gjerman, kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar se beteja kundër pandemisë do të jetë temë kryesore e diskutimeve mes liderëve të Bashkimit Evropian.
Ani pse ka specifikuar se numri i rasteve të infektimit me koronavirus po vazhdon të bjerë, teksa fushata e vaksinimit po arrin nivelet e larta, Merkel ka porositur se Evropa po ecën mbi një shtresë shumë të hollë akulli.
Për këtë arsye, ajo ka kërkuar vigjilencë veçmas ndaj variantit Delta të koronavirusit.
Ajo ka thënë se pandemia nuk ka përfunduar ende, sidomos në shtetet më të varfra të botës. Zyrtarët shëndetësorë të Bashkimit Evropian kanë parashikuar të enjten se varianti Delta do të përbëjë 90 për qind të të gjitha rasteve të reja të shfaqura në Evropë deri në fund të gushtit.
Ky parashikim ka shpërfaqur nevojën për vaksinimin e sa më shumë njerëzve.
Ndërkaq Gjermania, shtet në të cilin varianti i ri përbën 15-përqindëshin e rasteve të reja, u ka bërë presion shteteve të BE-së që të pajtohen rreth karantinimit të udhëtarëve që vijnë nga shtetet në të cilat po dominojnë variantet e rrezikshme të koronavirusit.