Botë

Evropa po përgatitet për rritjen e rasteve me variantin Delta

Varianti Delta

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se Evropa është në “akull shumë të hollë” pasi varianti indian i koronavirusit, i njohur si Delta, po përhapet nëpër kontinent.

Paralajmërimi i saj ka ardhur pasi zyrtarët shëndetësorë të BE-së ka thënë se ky variant do të jetë përgjegjës për 90 për qind të rasteve pozitive në fund të gushtit.

Përhapja po pengon planet për të hequr kufizimet gjatë verës.

Varianti Alpha, i zbuluar së pari në Britani, goditi Evropën rëndë herët këtë vit dhe Delta, që tash është dominant në Britani, mendohet se është 40% deri 60% më përhapës.

Andrea Ammon, drejtoreshë e Qendrës Evropiane për Parandalim të Sëmundjes dhe Kontroll (ECDC) ka thënë të mërkurën se përhapja e variantit Delta ka treguar rëndësinë për të shpejtuar vaksinimin në Evropë, pasi “të dhënat preeliminare tregojnë se mund të infektohen edhe individët që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinave aktuale”.

Dy dozat ofrojnë “mbrojtje më të madhe” kundër variantit Delta, ka thënë Ammon.

Delta, që së pari u identifikua në Indi, tash është përgjegjëse për gati gjitha rastet e reja të infeksionit në Britani.

Të mërkurën kancelarja gjermane Merkel tha, se si Gjermania, edhe gjithë shtetet e BE-së duhet të karantinojnë personat që vijnë nga Britania, duke marrë në konsideratë rrezikun e përhapjes së variantit Delta.

Britania e madhe nuk është në listën e BE-së të shteteve të sigurta sa i përket koronavirusit, për shkak të përhapjes së variantit Delta, por kjo listë nuk është kushtëzuese për shtetet anëtare.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka thënë se personat e vaksinuar plotësisht ofrojnë një mënyrë të mirë për të rikthyer udhëtimet, verën. Ai ka pranuar se do të jenë pushime verore të vështira.

Shtetet po merren në mënyra të ndryshme me variantin Delta.

Franca

Ndonëse rastet e reja në Francë kanë filluar të bien, Delta është shqetësim i madh në zonën në jug-perëndim të Francës.

Të enjten, kryeministri i Francës, Jean Castex dhe ministrat e Shëndetësisë janë në vizitë në Les Landes, ku varianti Delta është përgjegjës për 70 për qind të rasteve pozitive. Nëpër gjithë Francën, besohet se 10 për qind të rasteve pozitive janë me këtë variant.

Ndonëse janë hequr shumica e masave izoluese në Francë, një rritje e rasteve do të mund të çonte te kufizime të reja.

Rusia

Të enjten, Rusia ka regjistruar më tepër se 20 mijë raste të reja me koronavirus dhe 569 të vdekur, shifrat më të larta që nga janari.

Në kryeqendër Moskë, ku numri i të vdekurve në 24 orët e fundit ka qenë më i larti që nga fillimi i pandemisë, varianti Delta është përgjegjës për 90 për qind të infeksioneve të reja, sipas kryebashkiakut.

Përhapja e varianti është komplikuar nga numri jo i madh i të vaksinuarve në Rusi.

Rusia është një nga shtetet e para që ka zhvilluar vaksinën kundër COVID-19, por vetëm 12.8 për qind e rusëve kanë marrë dozën e parë e 9.9 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Portugalia

Ministrja e Shëndetësisë e Portugalisë ka pranuar se shteti i saj ka mundur të reagonte ndryshe për të parandaluar përhapjen e variantit, që tash është përgjegjës për më tepër se gjysmën e rasteve të reja me koronavirus në Lisbonë dhe Luginën Tagus.

Komentet e saj erdhën pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha se situata në Portugali ka mundur të evitohej nëse Portugalia nuk do të lejonte futjen e qytetarëve nga Britania me test negativ për koronavirus.

Po ashtu, kreu i programit të vaksinimit në Portugali ka thënë se shteti mund të dështojë në synimin për të vaksinuar së paku 70 për qind të popullatës me dozën e parë të vaksinës antiCOVID deri në gusht, nëse mungesa e vaksinave vazhdon të jetë prezente.

Euro 2020

Kreu gjerman i Asociacionit Botëror Mjekësor u ka bërë thirrje njerëzve të mos udhëtojnë në Londër për ndeshjet e Euro 2020 në futboll, për shkak të shqetësimit nga varianti Delta.

Para ndeshjes së Gjermanisë kundër Anglisë në Londër të enjten e ardhshme, Frank Ulrich Mongtomery, ka thënë se ata që udhëtojnë në Britani “rrezikojnë të infektohen me variantin Delta”.

“Mendoj se është papërgjegjësi edhe nga personat e vaksinuar të udhëtojnë në Londër në këtë situatë”, ka thënë ai për rrjetin gjerman të lajmeve RND.

Në stadiumin Wembley për këtë ndeshje do të lejohen deri në 60 mijë tifozë.

Zyrtarët shëndetësorë në Danimarkë, ndërkohë i kanë kërkuar 4000 tifozëve të testohen, pasi tre tifozë që ishin prezent në ndeshjen e të enjtes së kaluar mes Danimarkës e Belgjikës kanë rezultuar me variantin Delta.

Të tre ishin infektuar në lojë.