Botë

Meloni e ashpër me protestuesit: Kush nuk e do Olimpiadën është armik i Italisë

Giorgia Meloni

Foto: Associated Press

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas përleshjeve që ndodhën të shtunën, më 7 shkurt, në Milano gjatë një demonstrate kundër Lojërave Olimpike Milano–Cortina, duke shprehur solidaritet me policinë dhe institucionet vendore.

Në një postim në rrjetet sociale, Meloni theksoi se mijëra italianë janë duke punuar pa u lodhur për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike, shumë prej tyre si vullnetarë, me synimin që Italia të lërë një përshtypje pozitive në arenën ndërkombëtare. Ajo dënoi ashpër protestuesit e dhunshëm, të cilët, sipas saj, po dëmtojnë imazhin e vendit.

“Ka nga ata që punojnë për të siguruar suksesin e Lojërave Olimpike dhe nga ana tjetër janë armiqtë e Italisë dhe të italianëve, që demonstrojnë kundër Olimpiadës dhe bëjnë që këto pamje të qarkullojnë në televizione në mbarë botën. Disa madje kanë prerë edhe kabllot hekurudhore për të penguar nisjen e trenave,” shkroi Meloni, duke e quajtur situatën një akt kriminal.

Kryeministrja shprehu gjithashtu solidaritet të plotë me policinë, qytetin e Milanos dhe të gjithë ata që, sipas saj, rrezikojnë të shohin punën e tyre të shkatërruar nga veprimet e grupeve të dhunshme.

Mijëra qytetarë dhe aktivistë marshuan në Milano, duke protestuar kundër ndikimit mjedisor dhe ekonomik që sipas tyre shkaktojnë Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Protesta u zhvillua pas ceremonisë spektakolare të hapjes në stadiumin San Siro, ku u promovua kultura italiane. Megjithatë, jashtë stadiumit, qyteti u bë skenë e pakënaqësive të shumta: aktivistët dhe studentët marshuan për të kundërshtuar praninë e ICE-së dhe ndikimin e projektit në mjedis.

Pjesëmarrësit shfaqën banderola me mesazhe si: “ICE out”, dhe kritikuan qeverinë e Giorgia Meloni dhe kryebashkiakun e Milanos, Beppe Sala. Disa hodhën fishekzjarre dhe bomba tymi, por marshimi mbeti kryesisht paqësor.