Një burg i madh i ri në El Salvador tashmë po mbushet me rivalë nga dy bandat më të frikshme të Amerikës Veriore dhe Qendrore – MS-13 dhe Calle 18 – historia e përgjakshme e të cilave e bën të qartë se anëtarët e tyre do ta shfrytëzojnë çdo mundësi për të vrarë armiqtë e tyre.
Jeta në këtë burg - i cili u hap në janar - është e tmerrshme dhe grupet e të drejtave të njeriut tashmë po e krahasojnë atë me një kamp përqendrimi.
Numrat janë të tmerrshëm. Më shumë se 100 të burgosur ndajnë një qeli. Secila ka vetëm dy tualete. Të gjithëve u jepet pak më pak se një metër katror për të jetuar e për të fjetur. Ata nuk kanë dyshekë, nuk kanë hapësira të jashtme dhe rrihen dhe keqtrajtohen rregullisht, shkruan Daily Mail.
Burgu u hap si pjesë e një operacioni për të shtypur dy bandat e lartpërmendura dhe përfaqëson një nga pikat kryesore të luftës së presidentit Nayib Bukele kundër dhunës kombëtare.
Shkalla e vrasjeve në El Salvador - konsideruar nga shumë si kryeqyteti i vrasjeve në botë - ra 56.8 për qind në vitin 2022, dhe rezultati është një burg i mbipopulluar me kapacitet për rreth 60 mijë nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit, shumë prej të cilëve janë në konflikte disa dekadëshe.
Problemi historik i krimit të El Salvadorit daton që nga lufta civile e viteve '80. Ndërsa refugjatët e Amerikës Latine po iknin në SHBA, bandat MS-13 dhe Calle 18 u krijuan ose në El Salvador ose në rrugët e Los Angelesit. Kur mbaroi lufta, njerëzit u kthyen.
Calle 18 mendohet të ketë rreth 65 mijë anëtarë, ndërsa MS-13 ka nga 50 deri në 70 mijë anëtarë. Ata fitojnë para nga krime si trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, trafiku i drogës, shantazhi, pastrimi i parave, zhvatja dhe rrëmbimi. Mijëra anëtarë kanë vdekur tashmë në luftën e brendshme për kurorën e bandës më të fuqishme të Amerikës Qendrore.
Në një rast zhvatjeje në vitin 2015, një pronar autobusi refuzoi të paguante tarifën ditore prej 1 dollarësh bandës MS-13. Tre javë më vonë, dy anëtarë të rinj të bandës e futën në një qoshe dhe e qëlluan katër herë - dy herë në kokë.
Djali i tij më vonë ka thënë se babai i tij u vra për 21 dollarë.
Çdo bandë ka aleancat e saj të fuqishme. MS-13 është aleat me mafian meksikane dhe kartelin Sinaloa. Calle 18, ndërkohë, vulosi aleancë me Triadat Kineze.
Të dyja bandat njihen për brutalitetin, si dhe për rregullat e sjelljes të përcaktuara rreptësisht. Anëtarët e mundshëm duhet t'i nënshtrohen një fillimi mizor dhe shkelja e kodit të përcaktuar mund të rezultojë në ekzekutime. Hakmarrjet janë të pamëshirshme. Nuk vriten vetëm gangsterët e armikut, por edhe të gjithë familjet e tyre. Civilët e pafajshëm që ndodhen në vendin e gabuar në kohën e gabuar shpesh vriten. Kjo më pas krijon një spirale të re vrasjesh.
Për më tepër, Calle 18 shpesh arrin të rekrutojë fëmijë nga shkollat fillore dhe të mesme. Shumë i quajnë “Ushtria e Fëmijëve” për shkak të kësaj. Anëtarët e moshuar shpesh detyrojnë të miturit të kryejnë akte të urryera në mënyrë që të mbajnë duart e tyre të pastra.
Si përgjigje, anëtarët e MS-13 nuk kanë treguar ngurrim për të vrarë fëmijët e dyshuar se i përkasin bandave rivale. Qeveritë e El Salvadorit janë përpjekur për vite me radhë t'u japin fund vrasjeve brutale. Në vitin 2015, vendi kishte normë ditore të vrasjeve prej 18.2 personash. Presidenti Nayib Bukele këmbëngul dhe pretendon se një mega-burg është zgjidhja. Vitin e kaluar, ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme që pezulloi shumë nga të drejtat e njeriut të të dyshuarve. Për shembull, një i arrestuar mund të ndalohet pa aktakuzë. Deri në shkurt 2023, ishin arrestuar më shumë se 64 mijë anëtarë të dyshuar të një bande, shumë prej të cilëve u sollën në burgun e madh të ndërtuar së fundmi.
Por në burgun e ri vazhdojnë të ekzistojnë dy banda. Fotot që kanë bërë xhiron e botës tregojnë shumë prej tyre me tatuazhe të numrave romakë 18 ose 13, varësisht se cilës bandë i përkasin.
Prandaj, lind një pyetje e kuptueshme - me kaq shumë gangsterë rivalë nën të njëjtën çati, si të parandalohet gjakderdhja? Mbi 800 roje janë të punësuar në burg, por kompleksi është projektuar për të mbajtur gjithashtu dhjetëra mijëra anëtarë të bandës. Fotografitë e hershme të burgut tregojnë të burgosurit me duar të lidhura pas shpine, të detyruar të qëndrojnë në këmbë ose të ulen me kokën e mbështetur mbi të burgosurin përballë, duke u dhënë pak hapësirë për të lëvizur, me pak fjalë, të trajtuar më shumë si bagëti sesa njerëz.
Muret e burgut janë rreth 11 metra të larta, rrethojat elektrizohen me tension 15 mijë volt, ndërpritet çdo kontakt me botën e jashtme. Janë të bllokuara të gjitha hyrjet dhe daljet e sinjaleve telefonike. Të burgosurit largohen nga qelitë vetëm për seancat gjyqësore, të cilat zhvillohen me video-thirrje. Qelitë janë pa dritare. Në një vend me një GDP prej rreth 4500 dollarë për person, të afërmit pritet të paguajnë 170 dollarë në muaj për ushqime, produkte higjienike, veshje dhe gjëra të tjera thelbësore për të burgosurit. Shumë grupe të të drejtave të njeriut besojnë se goditja e bandave nga Bukele arrestoi mijëra njerëz të pafajshëm - thjesht sepse ata “dukeshin si kriminelë”. Raportohet se mes të arrestuarve ka edhe të mitur.
Më shumë se 100 njerëz në kompleksin e burgut thuhet se kanë vdekur tashmë nga keqtrajtimi. Por e gjithë kjo vazhdon sepse projekti i mega-burgut ka një mbështetje të gjerë publike. Muajin e kaluar, Bukele festoi “muajin më të sigurt” në El Salvador. Civilët raportuan se si dhuna e bandave u zhduk pothuajse brenda natës. Tingujt e të shtënave kanë pushuar dhe shkrimet e bandave në mure tashmë janë lyer.
Jeta brenda burgut është ende e panjohur. Bukele deklaroi të gjitha informacionet në lidhje me burgun dhe politikën e sigurisë janë sekrete të mëdha. Irene Cuellar, studiuesja e Amnesty International për Amerikën Qendrore, pohon se qeveria privilegjon “militarizimin dhe inkurajon përdorimin e tepruar të forcës kundër të burgosurve dhe shpërfill garancitë për një gjykim të drejtë”.
“Përkundrazi, duket se ata do të zgjedhin të favorizojnë praktika të tilla si ndalimi arbitrar dhe burgosjet masive”, ka thënë ajo.
FOTO:
{gallery}