Nga e dërguara e posaçme e KOHË-s në Poloni
Ky është kufiri i shpresës për shumë ukrainas që nga shteti i tyre largohen për shkak të sulmeve të pushtetit të presidentit rus Vladimir Putin.
Kjo pikë kufitare në fshatin Medyka, që ndan Poloninë me Ukrainën, është adresa e parë ku ndihmohen refugjatët.
Këtë të diel ka vazhduar largimi i tyre në drejtim të Polonisë.
Në këtë fshat priten nga njerëz të panjohur, por që duan t’u ndihmojnë.
E refugjatët e dinë vetëm se kanë ikur nga vendlindja e tyre, por nuk e dinë se ku do të përfundojnë.
“Shumë keq po ndihem. Dua të shkoj në shtëpi. Dua të shkoj në Ukrainë dhe dua që të gjithë rusët të largohen nga vendi im”, ka thënë një refugjate.
Me vete ka marrë vetëm vajzën 3 vjeçe, ndërsa gjithë familjen e ka në Ukrainë.
“Në Ukrainë kam prindërit, bashkëshortin, të gjithë familjen. Bashkëshorti po u ndihmon ushtarëve”, ka shtuar ajo.
Ndërsa Olga pret që të shkojë në Gjermani. Dëshira e saj e vetme është paqja.
“Shpresoj për paqe. Shpresoj për paqe e siguri. Lutem për këtë çdo ditë”, ka thënë ajo.
“Jam detyruar t’i lë vendin e familjen. Nuk e di çfarë të flas”, ka shtuar një tjetër refugjate.
Në këtë pikë autobusët presin për t’i marrë refugjatët e për t’i dërguar në qytetin e Prshemeshlyit, që është rreth 15 kilometra larg. Mundësia që të gjejnë strehim në ketë qytet është më e madhe.
Por Medyka ndonëse ka vetëm rreth 2400 banorë të saj, është përgatitur edhe vetë që t’i ofrojë zgjidhje mbijetese çdo refugjati.
Ushqime të nxehta, numra telefoni, ndihmë mjekësore, rroba e lodra për fëmijë ka në çdo kënd në këtë zonë.
Numri i vullnetarëve është i madh.
Ka të tillë që në këtë pikë vinë për t’i bërë fëmijët për së paku 30 minuta të harrojnë që janë në luftë.
I tillë është edhe Chris Gural, një instruktor i vozitjes. Ai ka mbledhur të gjitha lodrat në shtëpi dhe ka ardhur për t’ua shpërndarë fëmijëve që tashmë i kanë shpëtuar luftës.
“Unë ju dhuroj buzëqeshje. Kjo është e gjitha. Fëmijët kur më shohin më buzëqeshin dhe kjo ndoshta i bën që për 20-30 minuta ta harrojnë luftën dhe të mendojnë për babadimrin ose për lodrat”, ka thënë ai.
Kur refugjatët arrijnë në Medyka e dinë që i kanë shpëtuar vdekjes nga lufta, por pastaj fillon sfida se si ta gjejnë një vend të sigurt për akomodim.