Derisa qeveritë perëndimore po përgatiten të dërgojnë trupa në Afganistan për evakuimin e stafit nga ambasadat në kryeqytet, një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes ka thënë të premten se mbizotëron frika që talebanët – të rrëzuar nga pushtimi i forcave amerikane më 2011, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara – mund të ndërmarrin veprime në Kabul brenda disa ditësh
Kryengritësit talebanë kanë pushtuar qytetin e dytë dhe të tretin më të madh në Afganistan, derisa rezistenca prej forcave qeveritare po tkurret, duke e ushqyer frikën se sulmi në kryeqytetin Kabul mund të ndodhë brenda disa ditësh.
Një zyrtar qeveritar ka konfirmuar se Kandahari, qendra ekonomike e jugut, është vënë nën kontrollin e talebanëve. Ndërkaq Herati në perëndim po ashtu ka rënë në duart e grupit ekstremist islamik.
“Qyteti duket si fushëbetejë, si qytet fantazmë”, ka thënë anëtari i këshillit krahinor, Ghulam Habib Hashimi, duke folur nëpërmjet telefonit nga qyteti me 600.000 banorë afër kufirit me Iranin. “Familjet ose janë larguar, ose po fshihen në shtëpitë e tyre”.
Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes ka thënë të premten se mbizotëron frika që talebanët – të rrëzuar nga pushtimi i forcave amerikane më 2011, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara – mund të ndërmarrin veprime në Kabul brenda disa ditësh.
Zëvendësi i parë i presidentit afgan, Amrullah Saleh, ka thënë pas një takimi të sigurisë të kryesuar nga presidenti Ashraf Ghani se është krenar për forcat e sigurisë dhe se qeveria do të bëjë çmos për ta forcuar rezistencën ndaj talebanëve.
Edhe
Talebanët marrin dy qytetet më të mëdha, ambasadat evakuojnë stafin
Luftimet kanë nxitur frikën për një krizë të re refugjatësh dhe për zhbërjen e përparimeve në rrafshin e të drejtave të njeriut, që nga rrëzimi i talebanëve. Rreth 400.000 civilë janë detyruar që të braktisin shtëpitë e tyre që nga fillimi i vitit, ndërsa edhe 250.000 të tjerë janë larguar që nga maji, ka bërë të ditur një zyrtar i OKB-së.
“Situata i ngërthen të gjithë treguesit e një katastrofe humanitare”, ka thënë shefi i Programit Botëror për Ushqim të OKB-së, Thomson Phiri, duke e shprehur drojën për një “valë edhe më të madhe urie”.
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se ofensiva talebane në Kabul do të rezultonte me një “ndikim katastrofal për civilët”.
Si rrjedhojë e shqetësimeve për gjendjen e sigurisë, Pentagoni ka bërë të ditur se do të dërgojë në Afganistan rreth 3.000 forca shtesë gjatë 48 orëve të fundit për të ndihmuar në evakuimin e stafit të Ambasadës amerikane. Britania e Madhe ka njoftuar se do t’i angazhojë 600 ushtarë për t’i ndihmuar shtetasit e saj në vend. Shumë ambasada të tjera perëndimore, përfshirë atë të Gjermanisë dhe atë të Kanadasë, si dhe grupe humanitare, kanë bërë të ditur se do t’i largojnë gjithashtu shtetasit dhe punonjësit e tyre.
Ndërkaq aleatët në NATO kanë mbajtur konsultime lidhur me krizën.
“Synim yni vazhdon të jetë mbështetja për qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë. Ne e mbajmë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe siguria e personelit tonë është prioritet”, ka shkruar në Twitter sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Edhe
Për gjashtë muaj nën regjimin e ri, afganët, më të sigurt e më të pashpresë
OKB-ja është duke e rishikuar gjendjen e sigurisë “orë pas ore”, porse nuk është duke e evakuuar stafin nga vendi, ka thënë të premten zëdhënësja Stephane Djurraic.
Avancimi i shpejtë i ofensivës talebane, teksa forcat e huaja po përgatiten që ta përmbyllin tërheqjen nga vendi deri në fund të këtij viti, ka nxitur akuza serioze rreth vendimit të presidentit Joe Biden për tërheqjen e trupave amerikane.