Gjermania kaherë ka vlerësuar se interesat e sigurisë evropiane jetësohen më së miri kur lidhen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleate. Krejt ndryshe, Franca vlerëson se BE-ja duhet të mendojë për “autonominë strategjike” të mbrojtjes evropiane
Paralajmërimi i ministres gjermane të Mbrojtjes kundër “iluzioneve” për zbatim të një politike autonome të mbrojtjes evropiane ka sfiduar aq shumë presidentin francez, Emmanuel Macron, saqë komentet e saj janë kthyer në temë diskutimi në një takim të kabinetit qeveritar të këtij muaji në Paris.
“Ne vlerësuam se është për të ardhur keq, por theksuam se është vetëm një pozicion i izoluar dhe jo linjë e Merkelit”, ka deklaruar një zyrtar i pranishëm në takimin e Pallatit Elysee, duke vlerësuar se do të ketë një kundërshtim të vendosur ndaj kësaj qasjeje.
“Autonomia strategjike” e Macronit
Në një kolumnë të rubrikës “Atlanticisti” të “Politico” më 2 nëntor, në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të 3 nëntorit, Annegret Kramp-Karrenbauer deklaroi se Evropa do të mbetej e varur nga Washingtoni për mbrojtjen e saj edhe për një kohë të gjatë.
Macroni, kampion i “autonomisë strategjike” evropiane, ka thënë se “nuk pajtohet fare” me ministren gjermane, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara do të respektonin vetëm një Evropë që është më e vetëqëndrueshme në mbrojtjen e vet.
Episodi ilustron më së miri se si dallimet e mëdha ndërmjet dy shteteve më të fuqishme të Evropës po mundohen të përballen me pasojat e politikës izolacioniste të presidentit amerikan në largim, Donald Trump, që në thelb e ndihmuan Macronin të promovonte agjendën e tij. Por tashmë me ndryshimet e mëdha në politikën amerikane, po sfidohet edhe qasja e liderit francez.
Zgjedhja e Joe Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë nënkupton se do të ketë marrëdhënie më të ngrohta dhe më të qëndrueshme, thonë njerëzit e lidhur me rrethanat e politikave të Macronit. Trumpi me politikën e tij “Së pari Amerika”, kishte provokuar Gjermaninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s për mungesë të shpenzimeve në mbrojtje. Kjo mendohet se ndihmoi politikën e Macronit për ta trasuar vizionin për autonomi strategjike evropiane.
“Sigurisht se na ka ndihmuar, me fjalë dhe me vepra”, ka thënë një diplomat francez për Reutersin.
Ekspozimi i dallimeve
Katër vjetët me gjuhë armiqësore të Trumpit e shtynë Bashkimin Evropian që të anonte më shumë kah drejtimi i Macronit dhe shtuan përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin evropian në mbrojtje. BE-ja së shpejti do të hartojë një dokument të strategjisë ushtarake, që konsiderohet si dokumenti më i afërt i mundshëm me një doktrinë të përbashkët ushtarake, kanë thënë diplomatët.
Por, ky vizion mund të pësojë goditje me ardhjen e Bidenit në krye të fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Bideni konsiderohet politikan i rryer karriere me pikëpamje pozitive për lidhjen atlantike. Gjermania kaherë ka vlerësuar se interesat e sigurisë evropiane jetësohen më së miri kur lidhen me aleancën mbrojtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me fitoren e Bidenit, disa dallime të fshehura franko-gjermane shfaqen përsëri haptazi”, ka deklaruar një zyrtar i lartë qeveritar i Gjermanisë. “Ishte e lehtë të refuzoje Trumpin, por pikëvështrimi i Uashingtonit do të ndryshojë me Bidenin”.
“Nervozë” pas humbjes së Trumpit
Macroni dhe Merkeli kanë folur rregullisht njëri me tjetrin, para e pas fitores së Bidenit, për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, biseda që e kanë shtyrë Macronin të thotë se Merkeli ishte më shumë në linjë me Parisin, kanë thënë zyrtarët francezë.
Zyrtarët gjermanë ngulmojnë se Merkel – që pritet të largohet vitin e ardhshëm nga politika – mbështet ministren e saj të Mbrojtjes, por njashtu thekson se boshllëku ndërmjet Parisit dhe Berlinit është më i vogël sesa mund të duket. Është e kuptueshme se ka “nervozë” në Paris pas fitores së Bidenit, por është e pathemeltë, kanë thënë diplomatët.
“Dallimet për mbrojtjen nuk janë aq të mëdha”, ka thënë një burim i afërt me Merkelin. “Kini parasysh krejt projektet e bashkëpunimit ushtarak”.
Zyrtarët francezë kanë thënë se do të ishte e paudhë që të besohet se fitorja e Bidenit do t’i kthente “kohët e vjetra të mira” të marrëdhënieve transatlantike.
Me politikën e jashtme amerikane të kohës së Barack Obamas, që kishte “në zemër Azinë”, e kur Bideni ishte-zëvendëspresident, besohet se me ardhjen e demokratëve në pushtet sërish do të kthehet vëmendja nga Azia.
Merkeli ka thënë se Evropa duhet të bëjë më shumë për të marrë në duar të veta sigurinë e saj, përfshirë ngritjen e kontributeve në NATO, dhe ka paralajmëruar qëndrim kundër euforisë lidhur me varshmërinë nga presidenca e Bidenit.