OpEd

Vënia e NATO-s sërish në binarë

Bideni mund ta nisë procesin e pajtimit midis Francës dhe Gjermanisë – dhe, ç’është më e rëndësishmja, midis SHBA-së dhe partnerëve të saj në NATO – me qëllim të pezullimit të tërheqjes së planifikuar të trupave nga Trumpi. Ai mund pastaj t’i përdorë mjetet rezultuese të baraspeshës dhe kontaktet e tij personale (Bideni ka marrë pjesë në konferencat vjetore të sigurisë në Munih për dekada me radhë dhe i njeh pothuajse të gjithë akterët kyç gjermanë të politikës së jashtme) për ta bindur Gjermaninë që të shpenzojë më shumë për mbrojtjen evropiane. Synimi kryesor i një përkushtimi të tillë nuk do të ishte fashitja e Amerikës, por më shumë nxitja e Macronit, një mik ky i përnjëmendtë i Gjermanisë

Stanford, 8 dhjetor – Nominimi prej presidentit të zgjedhur, Joe Biden, i Lloyd Austinit, gjeneral ky i pensionuar me katër yje, për postin e sekretarit të Mbrojtjes është një tjetër shenjë e mirëseardhur se Amerika po i rikthehet vetes dhe se, pas 20 janarit të vitit të ardhshëm, nuk do të kërkojë t’i ndëshkojë më miqtë e t’i shpërblejë armiqtë. Për ta demonstruar këtë ndryshim para botës, Bideni do të duhej që, menjëherë pas marrjes së detyrës, ta anulojë urdhrin e korrikut të shkuar të presidentit Donald Trump për tërheqjen e 12.000 trupave amerikane nga Gjermania.

Pa i kushtuar SHBA-së as edhe një qindarkë, Bideni do ta mohonte dramatikisht izolacionizmin e Trumpit dhe do t’ia vinte drynin strategjisë “përçajë e sundo” të presidentit rus Vladimir Putin në Evropë.

Sprapsja e vendimit për tërheqjen e trupave do t’i fuqizonte njëherësh NATO-n, Gjermaninë dhe kancelaren Angela Merkel – pasuesi potencial i së cilës do të zgjidhet në mesjanar nga Unioni i saj Demokristian (CDU) – teksa ballafaqohen me Putinin dhe populistët e brendshëm antiperëndimorë.

Trumpi pretendon se synon që t’i tërheqë trupat amerikane për shkak se Gjermania ka lënguar në përmbushjen e shpenzimeve të mbrojtjes në kuadër të NATO-s, duke e detyruar Amerikën që ta mbushë boshllëkun. Por kjo është marrëzi. Dhe, duke qenë njëri prej njerëzve që më herët e ka mbrojtur këtë opsion, unë e di mirë këtë.

Për dekada me radhë, presidentët republikanë dhe demokratë kurrë nuk janë brengosur pse Amerika po shpenzon shumë më tepër për NATO-n sesa Gjermania. Për një kohë, isha i bindur se do të duhej të brengoseshin, andaj më 1986 e shkrova “How NATO Weakens the West”, libër ky për rënien e lirë të mbrojtjes gjermane. Aq i bindur isha në këtë ide saqë pata shkruar një koment për “The Wall Street Journal”, me titull: “Ka ardhur koha për ndryshimin e Aleancës Veriatlantike”.

Ama kurrë nuk do të më shkonte mendja se Trumpi do ta shfrytëzonte argumentin tim strategjik, tanimë të lashtë, si topin goditës për rrënimin e solidaritetit të NATO-s dhe fuqizimin e Putinit.

Ç’është e vërteta, Gjermania mund të mos shpenzojë sa duhet për mbrojtje; francezët padyshim se mendojnë kësisoj. Por argumenti se Gjermania po i mashtron Shtetet e Bashkuara me shpenzimet e saja të pakta për mbrojtje është thjesht një fije kashte për përkushtimin e Trumpit që ta shpërblejë Putinin, duke e qortuar Merkelin. Putini e ka pritur prej kohësh reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë, dhe te Trumpi ai ka gjetur një president amerikan të gatshëm për të bashkëpunuar me të.

Vetë mendimi im rreth NATO-s dhe kontributeve të Gjermanisë për të ka nisur që të ndryshojë jo shumë kohë pas publikimit të librit tim. Derisa po e promovoja, pata debate me Lawrence Eagleburger, i cili u bë më pas sekretar amerikan Shteti nën administratën e presidentit George H.W. Bush, si dhe takime me njerëz të shumtë seriozë dhe mirë të informuar të ushtrisë. Atëherë e kuptova se ajo që kishte më së shumti rëndësi për SHBA-në – dhe që akoma ka – është kontrolli mbi strukturën dhe synimin e mbrojtjes evropiane, e jo kostoja.

“Pazari” transatlantik i epokës së Luftës së Ftohtë, sipas shumicës së ekspertëve ushtarakë amerikanë, ishte se Amerika do ta paguante hisenë e luanit për shpenzimet e NATO-s në këmbim të udhëheqjes së mbrojtjes evropiane.

Kësisoj, e hoqa rreshtin “gjermanët po na marrin për budallenj”, të lindur nga dëshira ime për një aleancë efektive transatlantike, në kohën kur hoqa dorë nga populizmi konservator që kishte influencuar mendimin tim fillestar. Për më tepër, dëshmitë nga vitet ‘80 tregojnë se ekspertët ushtarakë që e kritikuan librin tim kishin të drejtë. Përplasjet transatlantike të asaj kohe nuk kishin të bënin me paranë, por më tepër me çështjet si raketat “Peshing Il” që duhej vendoseshin në Gjermaninë Perëndimore për pritjen e raketave balistike të Bashkimit Sovjetik. Gjermano-perëndimorët, shkaku i historisë së tyre plot tensione dhe lëvizjes së fuqishme për paqe, po hezitonin rreth çështjes.

Pas zhurmës së madhe, dhe udhëheqjes së përnjëmendtë të kancelarit socialdemokrat Helmut Schmidt, si dhe më pas të pasuesit të tij nga CDU-ja, Helmut Kohl, Gjermania Perëndimore i instaloi raketat “Pershing Ils” më 1983. Dhe ato i shërbyen mirë qëllimit: NATO-ja i këmbeu ato më 1987 në Traktatin e Forcave Bërthamore të Rrezes së Mesme (INF) me Bashkimin Sovjetik, një argument ky kyç për eliminimin e kërcënimit bërthamor. “Perishing Il” më pastaj ishte shkatërruar, dhe disa thashetheme thonë se një pjesë e skrapit përfundoi në lapsat specialë të vendosur në Bibliotekën presidenciale të Ronald Reaganit, të cilat u dhanë për dhurata.

Ndonëse Trumpi dështoi që t’i shndërrojë shpenzimet gjermane për mbrojtje në një çështje madhore të politikës në SHBA, kjo gjë u bë temë e vazhdueshme diskutimi në Evropë. Në një intervistë të mëparshme për revistën “Le Grand Continent”, presidenti francez, Emmanuel Macron – një mbrojtës i vendosur i sovranitetit më të madh evropian për çështjet e mbrojtjes – e kritikoi ashpër ministren gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, rreth publikimit të një komenti në “Politico”, me titull: “Evropa ka ende nevojë për Amerikën”.

Evropa do të kishte më pak nevojë për Amerikën, nënkuptoi Macroni, po qe se Gjermania i rrit shpenzimet për mbrojtje. Është qartazi gjë e keqe për unitetin e NATO-s dhe BE-së, kur dy anëtaret më të rëndësishme të Unionit përplasen rreth rolit të Amerikës në Evropë. Aleanca perëndimore ka nevojë që SHBA-ja të ofrojë garanci sigurie për Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, por kjo nuk duhet të vijë me koston e një çarjeje franko-gjermane, e cila do të përbënte dhuratë edhe më të madhe për Putinin.

Franca dhe Gjermania duhet ta kurojnë përplasjen e tyre aktuale rreth mbrojtjes, dhe Amerika duhet ta vazhdojë garancinë e saj të sigurisë për Evropën. Kontinentit i duhen çizmet amerikane në terren, jo vetëm në Gjermani, por edhe më gjetkë, përreth shteteve të Baltikut.

Një prej rrugëdaljeve nga kjo katrahurë është që Gjermania të kontribuojë më shumë për buxhetin evropian të mbrojtjes, duke e ofruar kësisoj një masë të pavarësisë që Franca e kërkon, nëpërmjet mbajtjes së trupave amerikane që i dëshiron.

Bideni mund ta nisë këtë proces të pajtimit midis Francës dhe Gjermanisë – dhe, ç’është më e rëndësishmja, midis SHBA-së dhe partnerëve të saj në NATO – me qëllim të pezullimit të tërheqjes së planifikuar të trupave nga Trumpi. Ai mund pastaj t’i përdorë mjetet rezultuese të baraspeshës dhe kontaktet e tija personale (Bideni ka marrë pjesë në konferencat vjetore të sigurisë në Munih për dekada me radhë dhe i njeh pothuajse të gjithë akterët kyç gjermanë të politikës së jashtme) për ta bindur Gjermaninë që të shpenzojë më shumë për mbrojtjen evropiane.

Synimi kryesor i një përkushtimi të tillë nuk do të ishte fashitja e Amerikës, por më shumë nxitja e Macronit, një mik ky i përnjëmendtë i Gjermanisë.

(Melvyn Krauss është anëtar i lartë i Institutit Hoover pranë Universitetit të Stanfordit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).