Botë

Mblidhen në Rumani ministrat e Jashtëm të NATOs, SHBA-ja me ndihmë të re për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të bëjnë të ditur një ndihmë “substanciale” financiare për Ukrainën, për ta ndihmuar atë që t’i rregullojë dëmet që ia kanë shkaktuar forcat ruse, sidomos në infrastrukturën energjetike.

Ndihma pritet të bëhet publike të martën nga sekretari amerikan, Antony Blinken, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, që do të mbahet në Bukuresh të Rumanisë, raportoi The Guardian.

Një burim nga Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se administrata e Bidenit ka buxhetuar 1,1 miliard dollarë për shpenzimet energjetike në Ukrainë dhe Moldavi.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen të martën dhe të mërkurën në Bukuresh, ku do të diskutohet mbështetja e aleancës për Ukrainën.

Gjermania, e cila aktualisht kryeson G7, ka thirrur një takim të martën pasdite në margjinat e mbledhjes së NATO-s për të diskutuar krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Rumania, si dhe Moldavia fqinje, janë goditur rëndë nga lufta dhe rreth dy milionë njerëz që ikën nga Ukraina kanë kaluar nëpër Moldavi.

Bukureshti aktualisht pret rreth 80,000 refugjatë, sipas shifrave të cituara nga Washingtoni.