Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mbi 1.000 të zhdukur nga përmbytjet në Nepal e Tibet, shumica turistë

Nepal

Foto: Associated Press

Mbi 1 000 persona janë shpallur të zhdukur pas një përmbytjeje të shpejtë dhe katastrofike që ka ndodhur të mërkurën në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit.

Sipas autoriteteve, shumica e të zhdukurve janë turistë.

Agjencia e Nepalit për menaxhimin e katastrofave ka bërë të ditur se, të enjten, më shumë se 24 orë pas goditjes së katastrofës, 823 persona rezultonin të paarritshëm. 

Në një përditësim të të dhënave, agjencia ka sqaruar se në këtë shifër përfshiheshin të paktën 579 turistë, si vendas ashtu edhe të huaj.

Është konfirmuar vdekja e të paktën 165 personave, si në Nepal ashtu edhe në Tibet, ku raportohen gjithashtu 558 persona të tjerë të zhdukur.

Të njëjtat zona që u prekën nga katastrofa e së mërkurës kanë përjetuar përmbytje të ngjashme edhe në gusht të vitit të kaluar, kur një liqen akullnajor në Tibetin fqinj doli nga shtrati për shkak të temperaturave të larta në rajonin malor.

Në atë kohë, nëntë persona patën vdekur dhe teksa ishte dëmtuar infrastruktura kritike, përfshirë një urë që lidhte Nepalin me Kinën.

Rajoni i Himalajeve, që përfshin Nepalin dhe disa vende të tjera përreth, përfshirë Indinë, është veçanërisht i rrezikuar nga reshjet e dendura, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, pasi po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës për shkak të ndryshimeve klimatike.

Mbi 350 të vdekur nga përmbytjet në Nepal, më shumë se 900 të zhdukur

1 muaj më parë / 27 gus 2026 11:31
Nepal

Photo: Associated Press

Policia e nepaleze ka njoftuar të enjten se deri më tani janë nxjerrë 350 trupa nga zonat e prekura nga përmbytjet e së mërkurës, në kufirin Nepal-Tibet. 

Më shumë se 900 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. 

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar, të cilat janë vështirësuar për shkak të shkatërrimit të shumë shtëpive, rrugëve të përmbytura dhe ura të rrëmbyera nga balta dhe uji. 

Përpjekjet e shpëtimit janë vështirësuar edhe më shumë për shkak të të reshurave të shiut si dhe pozitës gjeografike. Në Tibet, të paktën 558 persona rezultojnë të zhdukur, me tre të vdekur të konfirmuar. 

Në të dyja anët e kufirit, qindra shtetas të huaj rezultojnë të zhdukur. Autoritet nepaleze thanë se numri i turistëve të cilët rezultojnë të zhdukur vinë nga 30 shtete të ndryshme. 

Në një studim nga Instituti Gjeologjik i SHBA-ve thuhet se “shembja e akullnajave dhe rrjedha e mbeturinave”, shkaktuan përmbytjet, dhe ekziston frika se mbeturinat në lumenj mund të shkaktojnë një përmbytje të dytë.

Shembja e një akullnaje mund të ketë shkaktuar përmbytjet në Nepal, thonë shkencëtarët

1 muaj më parë / 27 gus 2026 11:09
Nepal

Photo: Associated Press

Hetimet paraprake kanë treguar se një akullnajë e shembur mund të ketë shkaktuar përmbytjen e rrufeshme në kufirin Nepal-Tibet, duke nxjerrë në pah problemin e shkrirjes së shpejtë të akujve në Himalaje, i kanë thënë BBC-së shkencëtarët.

Raportimet fillestare për një tërmet bënë që shumë njerëz të besonin se lëkundjet kishin shkaktuar një rrëshqitje dheu, e cila më pas kishte shkaktuar përmbytjen nga e cila kanë humbur jetën të paktën 177 persona.

Megjithatë, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) më vonë ka sqaruar se katastrofa ishte shkaktuar nga një “shembje akullnajeje”, që ndodh kur një akullnajë ose një pjesë e saj shpërbëhet.

Goditja e akullnajës së shembur në fundin e një lugine ishte aq e fuqishme sa u regjistrua si një tërmet me magnitudë 5.2, sipas të dhënave të USGS-së dhe shkencëtarëve që kanë analizuar ngjarjen.

Dr. Simon Cook, ekspert i akullnajave në Universitetin e Dundee, i ka thënë BBC-së se ekipi i tij kishte zbuluar se pjesa e poshtme e një akullnaje në Nepal, pranë majës Langtang Lirung, rreth 15 kilometra në perëndim të vendit ku ndodhën përmbytjet, ishte shembur.

Ai ka vlerësuar se akullnaja ishte shembur në drejtim të veriperëndimit dhe më pas kishte lëvizur drejt perëndimit, në rrjedhën e poshtme të lumit.

Një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD), një institucion shkencor ndërqeveritar, ka zbuluar se mund të ketë ndodhur “një ortek akulli dhe shkëmbinjsh me origjinë nga një zonë në lartësi të madhe”.

Kjo ka bërë që “një sasi e madhe akulli dhe mbetjesh shkëmbore” të hynte në lumin Lende Khola, degë e lumit Bhote Koshi, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të prurjeve të lumit, që transportoi ujë, sedimente dhe gurë të mëdhenj në drejtim të rrjedhës së poshtme.

Qendra ka zbuluar se niveli i ujit në lumenjtë në rrjedhën e poshtme është rritur me 7 deri në 9 metra brenda 30 minutash, ndërsa disa stacione monitorimi të ujërave u morën nga rrjedha ose u dëmtuan.

Zona rrethohet nga male të thepisura dhe videot e përmbytjes tregojnë ujë dhe mbetje që vërshojnë me shpejtësi nëpër shtratin e lumit.

Nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar shembjen e akullnajës të mërkurën.

Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh për shkrirjen e akullit dhe shkrirjen e permafrostit (tokë përherë e ngrirë) në Himalaje, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndryshimeve klimatike.

Një analizë e publikuar nga ICIMOD në fillim të këtij viti ka zbuluat se akullnajat e rajonit Hindu Kush-Himalaje po humbasin aktualisht akull me një ritëm dy herë më të shpejtë krahasuar me vitin 2000.

Kjo rrit rreziqet si përmbytjet.