Franca u është bashkuar të enjten Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetjen e pezullimit të përkohshëm të patentave dhe mbrojtjeve të tjera të pronës intelektuale në vaksinat kundër COVID-19, në atë që mund të ndihmojnë në sigurimin e më shumë dozave për vendet e varfra dhe në përshpejtimin e përfundimit të pandemisë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se është plotësisht në favor të iniciativës.
Teksa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se edhe blloku si tërësi është i gatshëm për ta diskutuar çështjen.
Megjithëkëtë, kompanitë farmaceutike kanë reaguar me zemërim ndaj vendimit të administratës së Joe Bidenit, të marrë të mërkurën vonë. Bideni prej kohësh ishte përballur me presion për ta mbështetur propozimin e Organizatës Botërore të Tregtisë për çështjen e patentave, pas thirrjeve të shtuara për barazi në vaksina dhe për ndarjen e furnizimeve me vendet e tjera të goditura rëndë, shkruajnë mediat e huaja.
Vendimin e tij, shefi Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka cilësuar si shembull “të lidershipit në adresimin e sfidave globale shëndetësore”.
Mbështetësit e iniciativës pretendojnë se po qe se arrihet pajtueshmëria përfundimtare, atëherë prodhimi i vaksinave do të rritet dhe do të ketë më shumë doza për shtetet më pak të pasura.