Botë

Mbahen protesta pro-palestineze në kampuset e universiteteve italiane

Itali - protesta pro-palestineze

Rreth 20 tenda janë vendosur të dielën pasdite në oborrin e Universitetit të Bolonjës në Itali, si shenjë proteste për luftën Izrael-Hamas.

Studentët në universitetin La Sapienza të Romës pritet gjithashtu të ngrenë tenda për të protestuar kundër qeverisë izraelite të hënën, raporton “Associated Press”.

“Qeveria italiane dhe institucionet universitare dhe në përgjithësi të gjitha vendet perëndimore, duhet të ndalojnë bashkëpunimin e tyre me qeverinë izraelite dhe me krimet që ajo po kryen në Rripin e Gazës”, ka thënë një nga studentët e Bolonjës, i cili po proteston.  

Studentët po kërkojnë gjithashtu bojkotimin e marrëveshjeve akademike me universitetet izraelite, veçanërisht nëse bashkëpunimi lidhet me teknologjitë me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak).

Protestat në Itali pasojnë dhjetëra protesta pro palestineze në kampuset amerikane në javët e fundit, ku janë arrestuar qindra studentë.