Përkundër vendimit të Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit për ndalimin e saj, Parada e Krenarisë është mbajtur mbrëmë në Beograd. Por marshimi panevropian ka mbetur në hije të tensioneve e sulmeve të grupeve ekstremiste, të mbështetura nga Kisha Ortodokse Serbe. Në marshim ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan, Kristofer Hill
Policia e trazirave u përlesh të shtunën me protestuesit djathtistë në qendër të Beogradit, ku nisi marshimi ndërkombëtar i Krenarisë pavarësisht kërcënimeve nga grupet anti-homoseksuale dhe ndalimit zyrtar të aktivitetit.
Qindra mbështetës të marshimit u mblodhën disa kilometra larg nëpër shiun e rrëmbyeshëm, duke kërcyer dhe kënduar ndërsa marshimi i tyre u mbajt në një rrugë të shkurtër.
"Më e rëndësishmja është që ne po mblidhemi në rrugë. Kjo është luftë për të drejtat e njeriut. Kjo është lufta për të drejtat tona kushtetuese dhe kjo është lufta për shtet ligjor e demokratik serb”, ka thënë Marko Mihajloviq, njëri nga organizatorët e “Krenarisë”.
Policia serbe këtë javë e ndaloi paradën, duke përmendur rrezikun e përleshjeve me aktivistët e së djathtës ekstreme. Por organizatorët të shtunën thanë se morën garanci nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, e cila është lesbike, se ngjarja mund të vazhdojë.
Disa incidente u raportuan më herët të shtunën me aktivistë anti-homoseksualë që hodhën shishe ndaj policisë dhe përpiqeshin të çanin kordonin e policisë. Policia tha se 31 persona u arrestuan.
Shoqata e Organizatorëve Evropianë të Krenarisë zgjodhi kryeqytetin e Serbisë tre vjet më parë për të mbajtur ngjarjen vjetore, duke shpresuar se do të përfaqësonte përparim të madh për një vend sllav që është tradicionalisht konservator dhe i ndikuar fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe.
Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, paralajmëroi të shtunën se agjencia e tij "nuk do të tolerojë asnjë dhunë në rrugët e Beogradit dhe se do të zbatojë rreptësisht ligjin".
Zyrtarët perëndimorë, si dhe grupet e të drejtave të njeriut, i kishin kërkuar presidentit populist, Aleksandar Vuçiq, që të lejonte mbajtjen e Marshimit të Krenarisë. Por Vuçiqi kishte thënë se policia nuk mund t’i përballojë trazirat e mundshme nga grupet e krahut të djathtë në mes të krizës energjetike.
"Epo, para së gjithash, nuk është moti më i mirë që kam parë ndonjëherë në Beograd, por është me të vërtetë turma më e mirë që kam parë. Është shumë paqësore dhe mendoj se është një ditë shumë e rëndësishme që të gjithë mundën ta bëjnë këtë. Ju e dini, kjo ka të bëjë me barazinë dhe kjo ka të bëjë me faktin se ne të gjithë jemi motra dhe vëllezër dhe të gjithë jemi fëmijë të Zotit. Kështu që unë mendoj se është një ditë shumë e rëndësishme për këtë vend”, ka thënë Christopher R. Hil, ambasadori i SHBA-së në Serbi.
Grupet e krahut të djathtë, disa prej të cilave konsiderohen të afërta me qeverinë nacionaliste të Vuçiqit, u ndaluan gjithashtu të mblidhen të shtunën, por disa injoruan vendimin.
Disa ankesa ligjore nga organizatorët e marshimit kundër ndalimit janë refuzuar nga autoritetet serbe.