Anëtarët e komunitetit kurd të Francës dhe persona të tjerë kanë mbajtur një marshim të heshtur në Paris për t’i kujtuar tri viktimat që u vranë nga të shtënat në një qendër kulturore kurde në kryeqytetin e vendit.
Një burrë 69-vjeçar po përballet me akuza paraprake për vrasje me motive racore. I dyshuari u tha hetuesve se synonte në mënyrë specifike të vriste emigrantë ose të huaj dhe më pas kishte planifikuar të vriste edhe veten. Pastaj ai bëri të ditur se kishte një urrejtje ”patologjike” ndaj të huajve joevropianë.
I dyshuari u dërgua për një kohë të shkurtër në kujdesin psikiatrik, por më vonë u lirua në paraburgim të zakonshëm policor, e më pas doli edhe para një gjyqtari hetues. Anëtarët e komunitetit kurd thanë se policia duhet të kishte bërë më shumë për t'i mbrojtur ata si komunitet.