Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Maqedonia e Veriut mori ftesën për t’iu bashkuar NATO-s

Shkup, 20 mars – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë sot thirrje Maqedonisë së Veriut që t’i bashkohet kësaj aleance si anëtare e 30-të e saj, ka njoftuar Qeveria në Shkup, transmeton Koha.net.

Në letrën dërguar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovskit, Stoltenberg shkruan se vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike e kanë njoftuar qeverinë e SHBA se kanë miratuar dhe kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, të nënshkruar më 6 shkurt të vitit 2019 në Bruksel, kështu që me këtë ky dokument ka hyrë në fuqi.

“Në emër të të gjitha vendeve anëtare kam nderin që t’iu informoj dhe t’iu bëj ftesën që t’i bashkoheni Aleancës Veri-Atlantike”, shkruan në letrën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dërguar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Në përputhje me nenin 10 të Aleancës Veri-Atlantike Maqedonia e Veriut bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s në ditën e deponimit të instrumentit të anëtarësimit në qeverinë e SHBA.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut më 11 shkurt ka ratifikuar unanimisht Marrëveshjen Veri-Atlantike paraprakisht, pra para vendimit përfundimtar formal të NATO-s para shpërndarjes së tij për shkak të zgjedhjeve parlamentare.

“Më lejoni të shfrytëzoj nga rasti dhe të shpreh kënaqësinë time, si dhe kënaqësinë e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e paralajmëruar të Maqedonisë së Veriut në Aleancë”, shkruan në letrën e tij Stoltenbergu, transmeton Koha.net.

Artikuj të ngjashëm