Mali i Zi ka përfituar 310 milionë euro nga ndarja e pasaportave për të huajt. Ky projekt për shitje të pasaportave, që aplikohet edhe në shumë vende të tjera, nisi më 2019 dhe është menduar që me këto para të ndihmohen komunat e pazhvilluara, shkruan gazeta “Vijesti” të martën.
Sipas “Vijesti”, Ministria e Punëve të Brendshme ka në shqyrtim edhe 650 kërkesa të të huajve për pasaporta.
“Nga shuma totale, 188 milionë janë në një llogari të posaçme (ESCROË) ku të huajt që dëshironin pasaportë malazeze duhet të paguanin para, ndërsa pjesa tjetër kaloi në llogaritë e shtetit dhe investitorëve që ndërtojnë projekte zhvillimi në fushën e turizmit”, shkruan “Vijesti”.
Në fakt, marrja e pasaportës malazeze nuk është thjeshtë “blerje me para”. Të huajt që duan pasaporta të këtij vendi duhet edhe të jenë investitorë në Mal të Zi.
Ideja ishte që projekti të mbyllej këtë vit dhe të ndaheshin vetëm 2000 pasaporta, por kryeministri në largim Dritan Abazoviq e shtyu afatin edhe për një vit.
Komisioni Evropian e këshilloi Malin e Zi të shfuqizojë këtë skemë të shtetësisë për investitorët për shkak të rreziqeve që ajo paraqet, si pastrimi i parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit, korrupsioni dhe infiltrimi i krimit të organizuar.
Edhe
Skema e Maltës me “pasaporta të arta” në kundërshtim me ligjet e BE-së, vendos gjykata
Sipas gazetës podgoricase, MPB-ja e këtij vendi ka refuzuar 73 kërkesa për pasaportë.
Të dhënat e MPB-së tregojnë se janë dorëzuar gjithsej 779 kërkesa për “pasaportë të artë”, prej të cilave janë miratuar 166, ndërsa janë refuzuar 73.