Botë

Mali i Zi në udhëkryq mes Evropës dhe Rusisë

Intro: Në Mal të Zi është mbajtur balotazhi për zgjedhjet presidenciale që pritet të përcaktojnë fatin e shtetit ballkanik. Në garë janë Milo Gjukanoviq, aleatit kryesor i Perëndimit në ndaljen e ndikimit rus në Ballkan dhe Jakov Milatoviq, i cili i ka hyrë garës i mbështetur nga partitë në pushtet që kanë lidhje të ngushta me Serbinë

Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që është betejë midis një presidenti pro-perëndimor të kamotshëm dhe një të porsaardhuri që premton ndryshime në shtetin e vogël anëtar të NATO-s në Evropë, i cili është përfshirë në krizë politike.

Vëzhguesit kanë thënë se presidenti Milo Gjukanoviq, të cilit i njihet merita për udhëheqjen e Malit të Zi drejt pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO, mund të përballet me humbjen nga ekonomisti Jakov Milatoviq, kandidati i mbështetur nga partitë qeverisëse që kanë lidhje me Serbinë.

Balotazhi i së dielës është mbajtur pasi asnjëri kandidat nuk fitoi mbështetjen e shumicës në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt para dy javësh. Rreth 540 mijë qytetarë kanë të drejtë të votojnë në Malin e Zi, shtet me 620 mijë banorë.

Fituesi i këtyre zgjedhjeve presidenciale mund të reflektojë edhe rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mbahen më 11 qershor.

Kjo datë u caktua për shkak të ngërçit disamujor të qeverisë që ngeci integrimin në Bashkimin Evropian dhe alarmoi Perëndimin teksa lufta në Ukrainë është ndezur.

Gjukanoviq, 61 vjeç, u bë fillimisht kryeministër në moshën 29-vjeçare dhe ka qëndruar në pushtet në 32 vitet e fundit – më gjatë se Partia e tij Demokratike e Socialistëve, e cila u rrëzua në zgjedhjet parlamentare të 2020-s.

Gjukanoviqi ka qenë aleat kryesor i Perëndimit në kundërshtimin e ndikimit rus dhe mbajtjen e Ballkanit të qëndrueshëm. Ai ka këmbëngulur se lufta nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO për shkak të politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.

Ndërkaq, Milatoviq, 36-vjeçar, i shkolluar në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, ka këmbëngulur se dëshiron që Mali i Zi të bashkohet me BE-në, megjithëse disa nga partitë që mbështetën kandidaturën e tij janë me orientim prorus.