Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mali i Zi sot mban zgjedhjet, në një kohë të ndasive të thella politike

Sondazhet dhe analistët kanë parashikuar se lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, me shumë gjasë do të dalë e para, por pa ulëset e mjaftueshme në Parlament për ta formuar e vetme Qeverinë.

Mali i Zi të dielën do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të përcaktojnë nëse shteti i vogël ballkanik do të tejkalojë ndasitë e thella politike dhe jostabilitetin që ka ndalur vrullin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më shumë se 542 mijë votues do të kenë të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve properëndimore e deri te ato pro-Serbisë dhe Rusisë.

Zgjedhjet do të jenë të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk do të marrë pjesë Milo Gjukanoviq, i cili i priu vendit si kryeministër ose president që prej vitit 2001. Ai ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill dhe nuk është në radhën e parë të politikës.

Sondazhet dhe analistët kanë parashikuar se lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, me shumë gjasë do të dalë e para, por pa ulëset e mjaftueshme në Parlament për ta formuar e vetme Qeverinë.

Spajiq, 37-vjeçar, ish-ministër i Financave që në vitin 2021 krijoi reformat ekonomike, përfshirë ngritjen e pagës mesatare, ka premtuar ngritje të pagave dhe shtatë orë punë në ditë, 1 orë më pak sesa orari aktual i punës në Mal të Zi.

“Jam shumë i interesuar që të realizoj planin e prezantuar para qytetarëve”, ka thënë Spajiq, i cili mund të bëhet kryeministri i ri i Malit të Zi.

Partia Demokrate e Socialistëve, dikur e prirë nga Gjukanoviqi, ka përjetuar tkurrje të popullaritetit pas tre dekadave dominim dhe tani me liderin e ri po bën përpjekje për ringjallje.

Lideri i partisë, Danijel Zhivkoviq, ka akuzuar Qeverinë aktuale për rrezikimin e shtegut të Malit të Zi drejt BE-së dhe ka premtuar zhbllokimin e këtij shtegu nëse DPS-ja kthehet në pushtet. Mali i Zi dikur ishte konsideruar si shteti i parë nga Ballkani Perëndimor që mund të anëtarësohet në BE.

Gjukanoviqi e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia në 2006 dhe sfidoi Rusinë për t'u bashkuar me NATO-n në 2017. Aleanca e dominuar nga partitë që kërkonin lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë e rrëzoi DPS-në nga pushteti në zgjedhjet e mëparshme parlamentare në 2020.

Aleanca e re qeverisëse, megjithatë, shpejt u zhyt në kaos, gjë që ngeci rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe krijoi bllokadën e re politike. Qeveria humbi votën e mosbesimit vitin e kaluar, por ka qëndruar në detyrë për muaj të tërë për shkak të ngërçit.

Në zgjedhjet e së dielës do të marrin pjesë edhe koalicioni i Veprimit të Reformës së Bashkuar që përfshin kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviqin, dhe koalicion proserb dhe rus të quajtur “Për të Ardhmen e Malit të Zi”.

Abazoviqi, i cili u paraqit si lideri antimafia në shtetin e zhytur në krim dhe korrupsion, ka premtuar hapa për përmirësimin e standardeve të jetesës.

“Kur ta mposhtim mafien, do të ketë (para) për të gjithë”, ka thënë Abazoviqi së fundmi. “Do të krijojmë një fond drejtësie, i cili do t’i kthejë fondet e vjedhura në buxhetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve”.