Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjukanoviqi bie nga pushteti, presidenti i ri 36-vjeçari Milatoviq

Eksperti i ekonomisë dhe politikani jo fort i njohur, Jakov Milatoviq, ka fituar balotazhin në Mal të Zi, duke rrëzuar nga pushteti liderin e kamotshëm të shtetit ballkanik dhe properëndimorin, Milo Gjukanoviq. Gjukanoviqi ka qenë aleat kryesor i Perëndimit në kundërshtimin e ndikimit rus dhe mbajtjen e Ballkanit të qëndrueshëm. Humbja e tij në balotazhin e së dielës do të thotë se për herë të parë që prej viteve ’80 ai dhe partia e tij DPS do të jenë në opozitë.

Eksperti i ekonomisë dhe politikani jo fort i njohur, Jakov Milatoviq është president i ri i Malit të Zi.

Politikani 36-vjeçar, ka arritur ta rrëzojë nga pushteti Milo Gjukanoviqin, i cili tani do të jetë në opozitë, për herë të parë që prej viteve ’80.

Milatoviq, i mbështetur edhe nga partitë në pushtet dhe që kanë lidhje me Serbinë, , ka fituar rreth 60% të votave, ndërsa Gjukanoviqi properëndimor fitoi rreth 40 për qind.

Në fjalimin e fitores të dielën në mbrëmje, Milatoviqi e ka cilësuar momentin si “historik” dhe premtoi të ndihmojë në udhëheqjen e Malit të Zi në Bashkimin Evropian gjatë mandatit të tij pesëvjeçar në detyrë.

“Sonte Mali i Zi mori një hap vendimtar përpara dhe i tha lamtumirë, lamtumirë kruciale këtij regjimi të Gjukanoviqit dhe bëri një hap drejt një Mali të Zi evropian, më të pasur, më të barabartë dhe më të mirë. Na prift e mbara”, ka theksuar Milatoviq.

Ndërkohë, Gjukanoviq e pranoi humbjen dhe përgëzoi Milatoviqin për fitoren e tij. Ai ka thënë se është krenar për rezultatin që ka arritur pas një periudhe kaq të gjatë në pushtet.

“Mali i Zi ka zgjedhur dhe e respektoj këtë. Unë uroj Jakov Milatoviqin për besimin që mori në zgjedhjet presidenciale. Uroj që të jetë president i suksesshëm sepse nëse është i suksesshëm, do të thotë se edhe Mali i Zi mund të jetë shtet i suksesshëm dhe do të ecë drejt qëllimeve të veta”, deklaroi ai.

Edhe “Qeveria proserbe”, presidenti i Malit të Zi ka dy objektiva për Kosovën Arbëri “Qeveria proserbe”, presidenti i Malit të Zi ka dy objektiva për Kosovën

Fitorja e Milatoviqit besohet se ka reflektuar lodhjen e malazezve me Gjukanoviqin dhe politikanët e moçëm. Milatoviq, 36-vjeçar, ia ka mësyrë politikës në vitin 2020 pasi u arsimua në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me fitoren e Milatoviqit, lëvizja e tij “Tani Evropa” mund të jetë në pozicion që të dominojë qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor.

Kjo lëvizje doli në sipërfaqe pas rënies së qeverisë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Si ministër i Ekonomisë, Milatoviq fitoi popullaritet duke ngritur pagat, por kritikët kanë thënë se shkaku i këtij vendimi, tani po i kushton sistemit shëndetësor dhe se ngritja e pagave nuk u bë si shkak i ndonjë reforme ekonomike. (Përgatiti Gent Mehmeti)