Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mali i Zi në NATO, Rusia merr masa ekonomike

Mali i Zi miraton të premten hyrjen e tij në NATO, pavarësisht kundërshtimit rus për këtë.

Parlamenti pritet të ratifikojë vendimin për t’iu bashkuar Aleancës Veriatlantike, një lëvizje që është mjaft kontradiktore edhe vetë brenda vendit dhe që ka zemëruar Moskën, e cila ndaloi importet e verës nga Mali i Zi, megjithëse arsyeja ishte problemet sanitare.

Kjo nga kryeministri malazez Dushko Markoviq është cilësuar si një lëvizje e qartë politike e Rusisë, ku shkon 20% i importeve të verës nga Mali i Zi dhe ndikimi në shitje do të jetë i fortë.

Mali i Zi nisi procesin për t’ju bashkuar NATO-s në vitin 2009, një dekadë pasi kjo aleancë e bombardoi për tre muaj gjatë luftës në Kosovë. Anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë tejet kontradiktor në vendin e vogël ballkanik, i cili shpalli pavarësinë vetëm në vitin 2006.

Serbia dhe Mali i Zi, të dyja të bombarduara nga avionët e NATO-s, ishin një vend dikur, edhe shumë vite pas ndarjes së ish-Jugosllavisë, prandaj ndikimi serb atje vazhdon që të jetë i fortë.