Botë

Mali i Zi i tronditur nga “tragjedia e pashembullt”

Flamujt u valëvitën në gjysmështizë në Mal të Zi të shtunën, teksa vendi shpalli tri ditë zie pas një sulmi me të shtëna që vrau 11 njerëz të premten, duke përfshirë edhe personin e armatosur.

Sipas Policisë së Malit të Zi, një burrë 34-vjeçar, Vuk Boriloviq, hyri në shtëpinë e qiramarrësve të tij në Cetinë dhe vrau dy fëmijë dhe nënën e tyre, dhe më pas doli në rrugë duke qëlluar rastësisht mbi kalimtarët.

Gjashtë personat e lënduar janë dërguar në spitalet e Cetinës dhe të Podgoricës dhe tre prej tyre janë ende në gjendje të rëndë në terapi intensive. Dëshmitarët okularë thanë se situata ishte kaotike teksa i armatosuri u tërbua nëpër rrugë.

Sipas informacioneve paraprake, një polic mbeti i plagosur edhe në një përplasje me armë me sulmuesin, përpara se një civil të qëllonte për vdekje të armatosurin. Cetina, selia e ish-qeverisë mbretërore të Malit të Zi, është 36 kilometra në perëndim të Podgoricës, kryeqyteti aktual i kombit të vogël ballkanik.

Kryeministri Dritan Abazoviq shkroi në kanalin e tij në Telegram se incidenti ishte “një tragjedi e paprecedentë” dhe i kërkoi kombit “të jetë, në mendimet e tyre, me familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit e tyre, miqtë dhe të gjithë njerëzit e Cetinës”. Presidenti Milo Gjukanoviq tha në Twitter se ishte “thellësisht i prekur nga lajmi i tragjedisë së tmerrshme” në Cetinë, duke bërë thirrje për “solidaritet” me familjet që humbën të dashurit në incident.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të 11 viktimave që mbetën të vrarë gjatë ditës së djeshme në Cetinë të Malit të Zi.

Osmani thotë se në këtë moment pikëllimi Kosova qëndron me popullin e Malit të Zi.

“E pikëlluar nga lajmi për të shtënat masive në Cetinë të Malit të Zi. Duke dërguar ngushëllimet më të sinqerta për presidentin Gjukanoviq, familjeve që humbën të dashurit e tyre u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Ne qëndrojmë me popullin e Malit të Zi në këtë moment pikëllimi”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Për rastin tragjik, ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar: “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shtetin fqinj dhe mik, Malin e Zi, ku nga ngjarja makabre dje në Cetinë, mbetën të vrarë 11 qytetarë. Bashkëndiejmë me familjarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Kosova qëndron afër jush në këto ditë zie”.

Autoritetet nuk zbuluan detajet dhe motivet që e shtynë Boriloviqin të kryente aktin brutal.