Malajzia ka pezulluar të mërkurën eksportin e pulave të gjalla për të garantuar furnizim adekuate për tregjet e brendshme, duke shkaktuar shqetësim në Singaporin fqinj.
Në Singapor, shtet që merr një të tretën e shpendëve nga Malajzia, konsumatorët nxituan të grumbullojnë pula të freskëta përpara ndalimit, derisa mediat lokale raportojnë se frigoriferët në disa tregje dhe supermarkete janë pastruar nga mishi, shkruan Associated Press të mërkurën.
Malajzia eksporton deri në 3.6 milionë pula në muaj, shumë prej të cilave shkojnë në Singapor, ku më pas theren dhe futen në ftohje të thellë.
“Singapore Straits Times” ka raportuar se shitësit e pulave parashikuan se kostoja e pulës së ngrirë mund të rritet deri në 30%, duke rritur kështu edhe çmimet e pjatave në gastronomi. Qeveria e Singaporit u ka kërkuar konsumatorëve që të kalojnë në pulë të ngrirë dhe mish të tjetër alternativë dhe po eksploron tregje të reja për importin e pulës së gjallë.
Restoranti popullor Tian Tian Hainanese Chicken Rice, i cili merr shpendët e tij tërësisht nga Malajzia, thuhet se do të prezantojë gatime me mish derri dhe ushqim deti në vend të përdorimit të pulës së ngrirë nëse nuk arrin të gjejë furnizues të rinj.
Ndalimi i Malajzisë vjen ndërsa vendet në mbarë botën po përballen me çmimet në rritje të ushqimeve, të nxitura pjesërisht nga lufta në Ukrainë. Ukraina është një nga eksportuesit kryesor të misrit dhe drithërave që janë komponentët kryesorë të ushqimit të pulave.
India gjithashtu ndërmori hapa për të mbrojtur tregjet e saj, duke kufizuar eksportet e sheqerit dhe grurit.