Ukraina do ta padisë Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, pasi këto tri vende vazhduan ndalesën për importet bujqësore ukrainase, edhe pas vendimit të Bashkimit Evropian që ndalesa të përfundojë. Polonia, Hungaria e Sllovakia kanë thënë se me këtë masë po mbrojnë prodhimet dhe fermerët e tyre
Ukraina planifikon të padisë Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë në Organizatën Botërore të Tregtisë për ndalimin e produkteve bujqësore të saj, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas të hënën.
Padia do të realizohet “në të ardhmen e afërt”, ka njoftuar një zyrtar i lartë pas vendimit nga tri vendet për të ndaluar importet e mallrave bujqësore nga Ukrainës.
Kufizimet e vendosura nga Bashkimi Evropian në maj lejuan Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë t’i ndalonin shitjet brenda këtyre vendeve të grurit, misrit dhe lulediellit ukrainas, por duke e lejuar transitin e ngarkesave për diku tjetër.
Polonia, Sllovakia dhe Hungaria njoftuan për vazhdim të kufizimeve të importeve nga Ukraina të premten, pasi Komisioni Evropian vendosi të mos zgjasë ndalimin.
Nga Varshava, Bratislava dhe Budapesti thonë se po veprojnë në interes të ekonomive dhe fermerëve të tyre.
Ukraina mund të vendosë gjithashtu masa reciproke për importin e frutave dhe perimeve nga Polonia, nëse ky vend nuk heq dorë nga masat e saj shtesë.
Edhe
Hungaria me masa të reja ndaj produkteve bujqësore ukrainase
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë të Ukrainës tregojnë se 1.4 milionë tonë mallra ukrainase u larguan nga vendi me tren drejt këtyre tri vendeve në tre muajt e parë të sezonit 2023/24, nga 4.5 milionë tonë sa është totali.
Ukraina dërgoi gjithashtu me tren 1 milion ton vajra dhe fara vajore. (Përgatiti Blerta Haxhiu)