Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macroni takon Muskun sot në Francë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, do të takohen të hënën në margjinat e një konference biznesi jashtë Parisit, ka njoftuar Pallati Elysee, raportoi “Euroneës”.

Macroni dhe sipërmarrësi miliarder do të diskutojnë “atraktivitetin e Francës dhe industrive të saj”.

Gjatë pasdites Macroni do të takohet me më shumë se 200 sipërmarrës tjerë në Versajë për edicionin e gjashtë të samitit “Zgjidh Francën”, i cili synon të nxisë investimet ndërkombëtare në vend.

Sipas ministrit të Financave, Bruno Le Maire, i cili do të jetë i pranishëm, në takimin me Muskun pritet që të diskutohet për të ardhmen e automjeteve elektrike.

Macron ka njoftuar gjithashtu një sërë masash për të mbështetur industritë inovative dhe kalimin drejt teknologjisë më të gjelbër. Ato përfshijnë kredi tatimore në fusha si prodhimi i baterive, veturat elektrike e energjia e erës.

“Franca po ndryshon, po përshtatet me rrjedhën e botës dhe unë besoj se po ndjekim rrugën e duhur, që është të riindustrializojmë vendin, të jemi më sovran dhe më respektues për klimën dhe biodiversitetin”, ka thënë Macroni të premten gjatë një vizite në Dunkirk, në Francën veriore.

Macron dhe Musk janë takuar edhe një herë në dhjetor në New Orleans gjatë vizitës së presidentit francez në Shtetet e Bashkuara. Ata kanë diskutuar mbi projektet e ardhshme industriale të gjelbra, si prodhimi i automjeteve elektrike dhe baterive.

Artikuj të ngjashëm