Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë arritur në Kinë të mërkurën për një vizitë treditore.
Macron ka thënë pas arritjes në Pekin se Evropa nuk duhet të ndahet nga Kina në frontin ekonomik.
“Ne nuk duhet të distancohemi, të ndahemi nga Kina”, i ka thënë Macroni komunitetit francez në atë vend, duke shtuar se marrëdhëniet tregtare me Kinën duhet të vazhdojnë.
Macron dhe Von der Leyen shkuan në Kinë për të rivendosur lidhjet me një partner të rëndësishëm ekonomik dhe për të diskutuar çështje të ndjeshme si Ukraina dhe rreziqet ekonomike.
Macron vizitoi për herë të fundit Kinën në vitin 2019 dhe do të jetë vizita e parë e Von der Leyen që kur ajo u bë presidente e KE atë vit. Që atëherë, për shkak të kontrolleve të rrepta të Kinës mbi pandeminë e koronavirusit, të gjitha takimet diplomatike kanë qenë në internet dhe marrëdhëniet me Evropën janë përkeqësuar, fillimisht për shkak të marrëveshjes së ngecur të investimeve më 2021, dhe më pas për shkak se Pekini refuzoi të dënojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.