Botë

Macron e Johnson pajtohen të bëjnë çdo gjë për të ndaluar bandat që trafikojnë migrantët

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, janë pajtuar të bëjnë çdo gjë të mundur për të ndaluar bandat përgjegjëse për rrezikimin e jetëve të njerëzve, pas vdekjes së 31 migrantëve sot në Kanal, raporton BBC.

Një varkë me migrantë është fundosur në Kanal në afërsi të Calaisit.

Krerët e Britanisë dhe Francës kanë folur nëpërmjet telefonimit të mërkurën mbrëma.

Janë pajtuar të bashkojnë forcat për të ndaluar këto tentime për kalime ilegale. Varka me migrantë ishte nisur për në Britani.

Më tepër se 1500 persona të dyshuar se janë përfshirë në trafikim të njerëzve janë arrestuar nga autoritetet franceze që nga 1 janari, ka thënë ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin.

Përgjegjësia për vdekjen e migrantëve në Kanal ai ka thënë se është te trafikuesit.

Por, ai ka thënë se 7800 jetë janë shpëtuar gjatë vitit.

“Vetëm sot, kishte 780 policë nëpër brigjet në veri të Francë. 255 migrantë kaluan për në Britani, por ne ndaluam 671 persona tjerë që të kalojnë Kanalin”, tha Darmanin.

Një protestë e vogël po mbahet në Calais në shenjë solidarizimi ndaj migrantëve që kanë humbur jetën.