Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i liderit rus, Vladimir Putin, pritet të nisë një vizitë treditore të martën në Pekin.
Vizita e tij në Kinë do të bëhet në kohën kur luftimet në Ukraina po intensifikohen, raportoi Associated Press të martën.
Kina ka deklaruar se vizita “është një mundësi për ta promovuar zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”.
Pavarësisht kësaj, ka pasur shqetësime se Kina po mendon ta ndihmojë Rusinë ushtarakisht sa i përket luftës në Ukrainë, gjë për të cilën SHBA-ja ka paralajmëruar se do të sillte pasoja serioze.
Kina i ka quajtur akuzat e SHBA-së një fushatë shpifjeje, duke thënë se është e përkushtuar për të promovuar bisedimet e paqes dhe duke akuzuar Ëashingtonin dhe aleatët e tij për nxitjen e konfliktit duke i ofruar Ukrainës armë mbrojtëse.
“SHBA-ja nuk ka të drejtë të drejtojë me gisht marrëdhëniet Kinë-Rusi. Në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë presionin dhe detyrimin e SHBA-së”, tha të hënën në një konferencë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Pekini pretendon të mbajë një qëndrim neutral në luftën njëvjeçare, por gjithashtu ka thënë se ka një "miqësi pa kufi" me Rusinë dhe ka refuzuar të kritikojë pushtimin e Moskës, apo edhe ta quajë atë kështu. Ajo ka akuzuar SHBA-në dhe NATO-n për provokim të konfliktit dhe ka dënuar sanksionet e vendosura kundër Rusisë dhe subjekteve që shihen si ndihmë në përpjekjet e saj ushtarake.