Botë

Lufta në Ukrainë në syrin e KOHËS: I gjithë Lvivi në shërbim të ushtrisë

Nga e dërguara e posaçme e KOHËS në Ukrainë

I gjithë qyteti i Lvivit është në shërbim të luftës dhe ushtrisë.

Ata ukrainas që nuk kanë mundësi të jenë pjesë aktive e luftës kanë gjetur të tjera forma që ta ndihmojnë ushtrinë.

KOHA gjatë gjithë ditës, të mërkurën, ka qëndruar në pika të ndryshme të qytetit. Në pjesën me të madhe të vendeve nuk lejohet incizimi.

Vendi ku dikur mbaheshin festivalet e ahengjet e ndryshme është kthyer jo vetëm në pikë të ndihmës për refugjatë, por edhe në burim financiar për ushtrinë.

Gjatë ditës KOHA ka qëndruar në këtë lokacion.

Një hapësirë e vogël, në të cilën personat që punojnë kryesisht janë adoleshentë, shërben për shtypjen e bluzave me mesazhe përkrahëse për Ukrainën. Më pas ato shiten nëpër të gjithë botën. Të gjitha të ardhurat zbrazen në xhirollogarinë e ushtrisë.

Taras Musav është personi përgjegjës për komunikim me publikun në këtë qendër. Ai ka treguar më shumë për ndihmën ndaj ushtrisë.

“Ne jemi duke përpjekur që t’i shesim këto bluza në gjithë botën, që të kemi përkrahje financiare dhe e gjithë përkrahja financiare shkon për ushtrinë. Por ne edhe po tentojmë që t’ju tregojmë të tjerëve se çfarë po ndodh këtu në Ukrainë, sepse përkrahja e luftës sonë është kyç për ne”, tha Musav.

Ai ka thënë së në luftën në Ukrainë nuk ka asnjë qytetar ukrainas që nuk është i angazhuar.

“Gjithkush është duke e dhënë më të mirën nga vetja. Nëse ti mundesh me përgatitë ushqim për njerëzit që kanë nevojë, ju e bëni këtë. Nëse duhet që të ndihmohet dikush me logjistikë, ju e bëni këtë. Pra, ne jemi të gjithë të bashkuar, nuk ka rëndësi nëse je jurist, gazetar, kuzhinier, ne qëndrojmë së bashku dhe po përpiqemi të fitojmë”, shtoi ai.

KOHA gjatë ditës ka qëndruar edhe në një kishë në këtë qytet e në një qendër regjistrimi të vullnetarëve për ushtri.

Numri i të rinjve vullnetarë ishte i madh. Në mesin e tyre kishte edhe shumë gra.

Në anën tjetër, në kishë dhjetëra gra mbi moshën 65-vjeçare punojnë çdo ditë, ndonjëherë edhe nga 15 orë, për t’u thurur rrjete tankeve të ushtrisë ukrainase.

E, në rrugët e Lvivit ka shumë njerëz që bëjnë rojë. Ndonëse të pajisur me armë të gjata, ata nuk janë pjesë e ushtrisë, por e ndihmojnë sigurinë e shtetit në kohë lufte për Ukrainën.