Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Loja e Lukashenkos me mjerimin e refugjatëve

Aleksandër Lukashenko po i josh refugjatët nga Lindja e Mesme në vendin e tij me premtimin se do të lejohen të kërkojnë azil në Gjermani. Por, kufijtë janë mbyllur dhe mijëra njerëz po kërkojnë ndihmë tani pasi janë kurthuar në Minsk

Me çanta në shpinë e thasë gjumi në krah para një qendre të madhe tregtare në qendër të Minskut, kanë ngelur dhjetëra refugjatë e emigrantë. Disa prej tyre janë mbështjellë me batanije, derisa një pjesë tjetër po sillen poshtë e lart me sytë katër në celularë. Janë shtetas të vendeve të ndryshme të Azisë dhe Lindjes së Mesme, që ëndërrojnë shtetet e Bashkimit Evropian. Sidomos Gjermaninë, ekonominë më të fuqishme të Evropës, shkruan revista “Der Spiegel” në një shkrim për përpjekjet e refugjatëve dhe emigrantëve që janë kurthuar pasi Polonia ka mbyllur kufijtë me Bjellorusinë.

Hakmarrja e diktatorit të fundit

Varshava, por edhe Brukseli, akuzojnë diktatorin e fundit të Evropës, Aleksandër Lukashenko, se me “eksportimin” e refugjatëve po mundohet të destabilizojë Bashkimin Evropian në shenjë hakmarrjeje për sanksionet evropiane kundër tij si ndëshkim për krizën e gjatë të brendshme politike në ish-republikën sovjetike.

“Janë kryesisht refugjatë nga Iraku, të cilët janë mbledhur këti në qendër të kryeqytetit bjellorus, një vend për të cilin njerëzit nga Lindja e Mesme nuk është se kishin ndonjë informacion të përgjithshëm”, shkruan “Der Spiegel”. “Disa bjellorusë kanë nisur ta quajnë këtë pjesë të Minskut si ‘Bagdadi i Vogël’”.

Aliu 23-vjeçar ka treguar për revistën gjermane po e kalon kohën me dy miq para ndërtesës pesëkatëshe, ku ka edhe një restorant turk. Aty tavolinat janë të mbushura me refugjatë që po drekojnë. Restoranti është i njohur dhe ushqimi përgatitet sipas traditës dhe kërkesave myslimane. Dy grave me shamia, fëmijët po u flenë në karrige. Çanta e valixhe shihen përtokë. Janë të përlyera, përshkruan “Der Spiegel”.

Edhe Bjellorusia liron 52 të burgosur në këmbim të lehtësimit të disa masave nga SHBA-ja Botë 10 muaj më parë Bjellorusia liron 52 të burgosur në këmbim të lehtësimit të disa masave nga SHBA-ja

“Ato duhet të jenë kthyer nga mali”, thekson Aliu, ulur pranë një tavoline me miqtë e tij, derisa po presin t’u shërbehet supa. Ai ka rrëfyer se si deri para pak kohësh kishte jetuar në Irakun verior, duke fituar vetëm gjashtë dollarë në ditë për punën e tij. “Nuk ishte jeta ajo”, ka theksuar ai. Kurdi ka ardhur në Bjellorusi prej tetorit. Ai ka treguar se si ka jetuar “në mal”, sikur se i referohet ai pjesës së kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian. Kufiri ndodhet rreth 250 kilometra larg prej kryeqytetit bjellorus.

Ëndrra gjermane

Aliu ka thënë se ëndërron që një ditë të arrijë në Gjermani. Megjithatë rrugëtimi i tij është shumë i vështirë. Sidomos pas ashpërsimit të masave kufitare të kësaj jave nga Polonia. Varshava zyrtare ka nxjerrë më shumë se dymbëdhjetë mijë ushtarë përgjatë kufirit gjembor me Bjellorusinë pasi të hënën, qindra refugjatë e emigrantë mësynë shtetin e parë të Bashkimit Evropian. Aliu ka provuar tri herë të kalojë kufirin, por asnjëherë nuk ia ka dalë dhe është detyruar të kthehet në kryeqytetin Minsk. Llogaritet se ndërmjet 15 dhe 25 mijë refugjatë e emigrantë nga Azia dhe Lindja e Mesme ndodhen në Bjellorusi, me shpresë se do të kalojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Janë kryesisht irakianë, por edhe sirianë dhe afganë që duan të largohen nga Bjellorusia nëpërmjet asaj që tashmë po njihet si “Rruga bjelloruse”. Lukashenko, i cili ka mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, u ka dhënë viza disamujore të gjithë atyre që e shohin ish-republikën sovjetike si shtet transit, shkruan “Der Spiegel”.

Edhe BE-ja planifikon të ndalojë hyrjen në bllok të kujtdo që ka luftuar krah Rusisë në Ukrainë Botë 1 muaj më parë BE-ja planifikon të ndalojë hyrjen në bllok të kujtdo që ka luftuar krah Rusisë në Ukrainë

Aliu nuk e ka ndërmend të heqë dorë prej ëndrrës së tij, pavarësisht zbehjes së shpresave pasi Polonia ka blinduar kufirin me forca speciale.

Përktheu: Rexhep Maloku