Ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Suedisë, Stefan Lofven, ka formuar të premten koalicionin qeverisës të pakicës me vetëm dy parti.
Këtë ai e bëri vetëm dy ditë pasi që siguroi mbështetje të mjaftueshme në Parlament për formimin e një administrate të re.
Ai nuk ka shpalosur emrat e ministrave në Qeverinë e re të qendrës së majtë. Sipas rregullave të parapara me Kushtetutë, Lofveni ka prezantuar para Parlamentit emrat e ekipit 22-anëtarësh të zgjedhur nga Partia e tij e Socialdemokratëve dhe nga ajo e të Gjelbërve.
Kjo është Qeveria e tretë e Lofvenit, qëkur u zgjodh për herë të parë kryeministër i Suedisë më 2014.
Ai e kishte humbur muajin e shkuar mocionin e votëbesimit, të thirrur nga partia populiste djathtiste, pasi partia aleate majtiste e tërhoqi mbështetjen nga Qeveria lidhur me ligjin për qiratë e banesave. Para prezantimit të Qeverisë, Lofveni iu adresua Parlamentit rreth “aksidentit tragjik me aeroplan” të enjten në Orebro afër Stokholmit, në të cilin rast jetët humbën nëntë persona.