Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kristersson mandatohet për formimin e qeverisë suedeze

Shefit të Partisë së Moderuar opozitare të qendrës së djathtë, Ulf Kristersson, i është kërkuar të martën që ta formojë Qeverinë e re të koalicionit në Suedi. Kjo vetëm një ditë pasi që kryeministri, Stefan Lofven, ka dhënë dorëheqje si pasojë e humbjes së mocionit të votëbesimit javën e shkuar.

Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlen, ka mbajtur konsultime me shefat e të gjitha partive, nisur nga Lofveni që e drejton Partinë Social-demokrate, më të madhen në vend. Ai ka thënë se i ka kërkuar Kristerssonit që të bëjë përpjekje për formimin e Qeverisë ngase është lideri i partisë më të madhe nga grupi i atyre që e rrëzuan Lofvenin. Kristerssoni ka kohë deri të premten për ta siguruar mbështetjen e nevojshme për Qeverinë, porse Norleni ka thënë se ky afat mund të zgjatet. Po qe se ai dështon, kryetari i Parlamentit do të ngarkojë një tjetër politikan me këtë detyrë. Lofveni është bërë javën e shkuar lideri i parë që ka humbur një mocion votëbesimi në gjithë historinë e Suedisë.