Botë

Lideri i opozitës largohet nga Venezuela, kërkon azil në Spanjë

Lideri i opozites i Venezueles, Edmundo Gonzalez

Foto: Associated Press

Qeveria e Venezuelës ka thënë se lideri i opozitës Edmundo Gonzalez ka ikur nga vendi, dhe ka kërkuar azil në Spanjë, raporton “BBC”. 

Gonzalez, që ishte kundërkandidat i Nicolas Maduros në zgjedhjet presidenciale, po fshihej pasi ishte lëshuar urdhër arrest për të pasi opozita kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në korrik. U organizuan protesta masive kur Komisioni Zgjedhor (CNE), që kontrollohet nga qeveria, e shpalli Nicolas Maduron fitues. 

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, në një postim në rrjete sociale tha se Gonzalez kishte shkuar në Ambasadën e Spanjës disa ditë më parë dhe kishte kërkuar nga Qeveria e Spanjës azil politik. 

Ajo ka shtuar se Venezuela është pajtuar t’i ofrojë atij largim të sigurt dhe ai është larguar. 
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka thënë se Gonzalez është larguar nga Venezuela me kërkesën e vetë, me një aeroplan të Forcës Ajrore të Spanjës. 

Ai ka thënë se Qeveria e Spanjës është e përkushtuar për të drejtat politike të të gjithë venezuelanëve. 
Një avokat i Gonzalezit ka konfirmuar për agjencinë “AFP” se ai është larguar nga Venezuela për në Spanjë, por nuk ka dhënë më tepër detaje. 

Derisa ai u largua, forcat e sigurisë së Venezuelës kanë rrethuar Ambasadën e Argjentinës në Karakas. 
Gjashtë kundërshtarë politikë të Maduros janë duke u strehuar atje. Ministria e Jashtme e Venezuelës ka pretenduar se “po komplotohet për vepra terroriste brenda”. 

Venezuela është zhytur në një krizë politike që kur autoritetet e shpallën Maduron fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut. 

Opozita ka pretenduar se ka dëshmi se Gonzalez i ka fituar bindshëm zgjedhjet. 

Një numër i shteteve, përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe shtete të Amerikës Latine, kanë refuzuar ta njohin Maduron si fitues të zgjedhjeve presidenciale pa u publikuar të dhënat e plota të votimit. 

Qeveria e Maduros ka arrestuar mbi 2400 persona që nga zgjedhjet, duke krijuar “një klimë të frikës” siç e kanë quajtur Kombet e bashkuara. 

Gonzalez ishte duke u fshehur që nga 30 korriku, duke u frikësuar për arrestimin pas deklaratave të bëra nga politikanët qeveritarë që thanë se ai e ka vendin “prapa grilave”. 

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e kishte akuzuar Gonzalezin për konspiracion dhe falsifikim të dokumenteve. 

75-vjeçari nuk ishte i njohur para marsit të këtij viti, kur koalicioni opozitar e bëri atë kandidat presidencial.