Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lavrov: Marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët

Kryediplomati rus, Segei Llavrov, ka thënë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aktualisht edhe më të rënda sesa gjatë Luftës së Ftohtë, shkaku i mungesës së respektit të ndërsjellë. Ai ka theksuar se Moska është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me Washingtonin, porse SHBA-ja duhet të ndalojë së paraqituri si një “sovran” që mundohet t’i kthejë aleatët e saj kundër Rusisë dhe Kinës.

Në fillim të muajit administrata amerikane e presidentit Joe Biden i ka vendosur sanksione Rusisë shkaku i ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020 dhe fushatës së sulmeve kibernetike në agjencitë federale. SHBA-ja ka urdhëruar dëbimin e 10 diplomatëve rusë, ka vënë në shënjestër të sanksioneve me dhjetëra kompani dhe individë dhe i ka zbatuar ndalesa vendit për huazimin e parave nga subjektet e huaja. Rusia është kundërpërgjigjur duke e urdhëruar largimin prej vendit të 10 diplomatëve amerikanë, duke i përfshirë në listë të zezë tetë zyrtarë të dikurshëm dhe aktualë amerikanë dhe duke i ashpërsuar kufizimet për operacionet e Ambasadës amerikane në kryeqytet.