Qeveria e Kubës për herë të parë i ka kërkuar Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të Kombeve të Bashkuara ta ndihmojë për ta përballuar krizën e ushqimeve, raporton “BBC”.
Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se ka marrë një kërkesë zyrtare të paprecedentë nga Qeveria komuniste e Kubës për të ndihmuar me qumësht pluhur për fëmijët nën moshën shtatëvjeçare.
Kërkesa është shenjë se sa serioze është kriza ekonomike në Kubë.
Pos mungesës së qumështit, ilaçet dhe derivatet po ashtu po mbarojnë.
WFP-ja ka konfirmuar për agjencinë spanjolle të lajmeve “EFE” se është kontaktuar nga qeveria kubane që “të dërgojë qumësht pluhur pako 1 kg, për vajzat dhe djemtë nën moshën shtatëvjeçare”.
WFP ka nisur të bëjë dërgesat e qumështit pluhur.
Qumështi pluhur dhe disa ushqime tjera bazë u ofrohen kubanëve me një çmim të subvencionuar, por vonesat dhe mungesa e furnizimeve janë të zakonshme, veçanërisht në kohën e vështirësive ekonomike.
Sistemi u prezantua për herë të parë në vitin 1962 nga udhëheqësi kuban Fidel Castro, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj ishullit, gjë që i rriti mungesat.
Qeveria kubane vazhdon të fajësojë sanksionet e SHBA-së, të cilat po vazhdojnë, për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit. Por, kritikët thonë se keqmenaxhimi qëndron prapa krizës aktuale ekonomike, e cila është më e rënda në tri dekadat e fundit.
Vitin e kaluar, zëvendëskryeministri i Kubës, Jorge Luis Tapia Fonseca, e pranoi se përparimi për ta bërë Kubën shtet që prodhon mjaftueshëm për vete po vonon dhe fajësoi punëtorët kubanë, të cilët ai tha se nuk kishin “kulturë produktiviteti”.
“Duhet punë për të prodhuar ushqim. Të gjithë presin të na dërgojnë ushqim, por nuk bëjmë asgjë për të prodhuar atë”, tha ai në korrik.
Mungesa e qumështit është përkeqësuar që nga ajo kohë. Ministria e Tregtisë së Brendshme, Betsy Diaz, kishte treguar se dërgesat për fëmijët e moshave nga ajo gjashtëmuajshe deri në dy vjet u vonuan.
Ajo tha se qeveria “po punon çdo ditë për të gjetur alternativa”.
Qumështi nuk është gjëja e vetme që kubanët po e kanë të vështirë ta gjejnë. Mungesa e derivateve bëri që parada vjetore Dita e Majit – padyshim festimi më i madh masiv vjetor në ishull – u anulua vitin e kaluar.
Dhe nga e premtja, derivatet që janë në dispozicion do të kushtojnë deri pesëfishë më tepër sesa zakonisht me rritjen e re të çmimeve.