Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri ukrainas: Brenda dy vjetëve do të bëhemi anëtarë të BE-së

Kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, deklaroi se Ukraina do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda dy vjetëve, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Shmygal tha para mediave se vendet kandidate për anëtarësim, zakonisht marrin më tepër kohë, por sipas tij, Ukraina procesin do ta ketë më të dinamizuar.

“Autoritetet ukrainase kanë zhvilluar një plan hap pas hapi për një lëvizje të tillë dhe e dinë se ku ka ‘rrugë të ngushta’ në këtë drejtim”, deklaroi Shmygal.

Ukraina i intensifikoi përpjekjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, pasi Rusia nisi agresionin mbi të (24 shkurt). Më 23 qershor, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së vendosën t’ia japin Ukrainës statusin e vendit kandidat.

Agresioni rus hapi temën edhe të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Presidenti Volodymyr Zelensky, pati deklaruar gjatë shkurtit se Ukraina është në këtë rrugë, por që procesi do të jetë i gjatë.