Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me ministrin e Jashtëm kinez, Wangi Yi, në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G20 në Bali këtë javë, ka njoftuar të martën Departamenti i Shtetit.
Blinken do të niset për në Azi të mërkurën për një udhëtim që do të zgjasë deri të hënën. Takimi me Wang, që pritet të realizohet të shtunën, do të jetë kontakti i fundit i nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë, teksa presidenti Joe Biden po e shqyrton heqjen e tarifave për disa mallra kineze për ta frenuar inflacionin, raportoi “Al Jazeera”.
“Sekretari Blinken fillimisht do të udhëtojë në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20-s, ku ai do të përforcojë angazhimin tonë për të punuar me partnerët ndërkombëtarë për të përballuar sfidat globale, duke përfshirë pasigurinë ushqimore dhe energjetike dhe kërcënimin që paraqet lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, njoftoi të martën Departamenti i Shtetit.
Ky njoftim ndodhi pasi ministrat e jashtëm nga 20 ekonomitë më të mëdha do të takohen në ishullin indonezian të Balit të premten përpara një samiti të liderëve të G20 në nëntor, që gjithashtu do të mbahet në Indonezi.
Pavarësisht nga një rivalitet strategjik në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit, Bideni ka konsideruar heqjen e tarifave për një sërë mallrash kineze për të frenuar inflacionin në rritje të SHBA-së.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk ka afat për vendimin, por Bideni dhe presidenti kinez Xi Jinping gjithashtu pritet të flasin në javët e ardhshme.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjithashtu do të marrë pjesë në ministrorin e Balit, por një takim mes tij dhe Blinkenit nuk pritet të ndodhë.