Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur në Pekin me misionin diplomatik për t’i ulur tensionet SHBA-Kinë. Blinkeni është takuar me ministrin e Jashtëm kinez dhe mund të takohet edhe me presidentin Xi Jinping.
Ai është zyrtari amerikan i nivelit më të lartë që e ka vizituar Kinën që kur presidenti Joe Biden mori detyrën dhe sekretari i parë i shtetit që bëri këtë udhëtim në pesë vjet. Udhëtimi vjen pasi ai shtyu planet për ta vizituar vendin në shkurt pas shpërthimit të balonës spiune të Kinës mbi territorin e SHBA-së.
Megjithatë, perspektivat për ndonjë përparim të rëndësishëm në çështjet më shqetësuese me të cilat përballen dy ekonomitë më të mëdha të botës janë të pakta, pasi tashmë lidhjet janë bërë gjithnjë e më të tensionuara vitet e fundit. Armiqësia dhe akuzat janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme për një sërë mosmarrëveshjesh që kanë implikime për sigurinë dhe stabilitetin global. Lista e mosmarrëveshjeve dhe pikave të mundshme të konfliktit është e gjatë: duke filluar nga tregtia me Tajvanin, kushtet e të drejtave të njeriut në Kinë deri në Hong Kong, si dhe vendosmëria ushtarake kineze në Detin e Kinës Jugore deri te lufta e Rusisë në Ukrainë.