Qyteti port i Ukrainës, Mariupol, është në prag të katastrofës humanitare dhe duhet të evakuohet plotësisht, ka thënë kryetari i këtij qyteti, Vadym Boichenko.
“Rreth 160.000 civilë janë bllokuar në qytet pa energji”, ka njoftuar të hënën kryebashkiaku Boichenko.
Ai ka shtuar se 26 autobusë po prisnin për të evakuuar civilët, por forcat ruse nuk kishin rënë dakord t'u jepnin atyre garanci për kalim të sigurt.
"Federata Ruse po luan me ne”, ka thënë ai, raportoi BBC-ja.
Forcat ruse kanë rrethuar qytetin tash e disa javë, duke lënë civilët në mungesë të ujit, ushqimit, ilaçeve e edhe energjisë elektrike. Luftime të ashpra po zhvillohen ende.
Edhe
Më shumë se 200 civilë ende të bllokuar në fabrikën e çelikut në Mariupol
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë ditë më parë se ende nuk është në gjendje të dërgojë ndihma në Mariupolin e rrethuar, pasi kërkon që Rusia dhe Ukraina të garantojnë kalimin e sigurt.
Rusia ka mohuar se ka shënjestruar civilët dhe fajëson Ukrainën për “dështimin e përsëritur për t’u marrë vesh në lidhje me korridoret e sigurta për civilët e bllokuar”.