Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Krizë energjetike në Japoni, kërkohet fikja e dritave

Qeveria e Japonisë iu bëri thirrje banorëve të Tokios dhe të zonave përreth që të përdorin më pak energji elektrike, për shkak se furnizimet do të tensionohen pasi vendi do të përballet me një valë të nxehti.

Siç raporton BBC-ja të hënën, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, bëri thirrje që të fiken dritat për tri orë në ditë, por të vazhdohet të përdoret kondicioneri për të shmangur goditjen nga nxehtësia.

Ministria tha se kapaciteti i tepërt gjenerues për energjinë elektrike pritet të bjerë në 3.7 për qind.

Tash e sa javë, zyrtarët japonezë kanë paralajmëruar për një krizë energjetike derisa temperaturat vazhdojnë të rriten.

Gjatë fundjavës, temperaturat në Tokio shkuan në mbi 35 gradë Celsius, derisa në qytetin Isesaki, në veriperëndim të kryeqytetit, pati një rekord prej 40 gradë Celsius. Kjo ishte temperatura më e lartë e që Japonia e regjistroi ndonjëherë në qershor.