Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kriza energjetike: Shqetësime për ngritjen e çmimeve të rrymës

Buxheti i fundit i qeverisë, i prezantuar nga ministri i Financave, Rishi Sunak, ka premtuar nxitje të shpenzimeve publike, por nuk përmbante dispozita të veçanta për të ndihmuar amvisëritë që të paguajnë faturat me çmim të rritur të energjisë elektrike – një lëshim që ngjalli kritika të ashpra nga aktivistët e varfërisë së karburanteve

David Peacock është 70-vjeçar me nevoja të veçanta. Jeton i vetmuar në një apartament të qytetit të vogël viktorian Llandudno në veri të Uellsit.

Tërheq pensionin e vogël shtetëror që plotësohet me kredi pensioni dhe një pagesë personale nga qeveria britanike. Vitin e shkuar fatura e energjisë elektrike pothuajse i është dyfishuar. David dëshiron që kompanitë energjetike të jenë më fleksibile për sa u përket konsumatorëve në situata të vështira sikurse ai.

“Për shkak të problemeve të lëvizshmërisë dhe ekuilibrit, të kombinuara dridhjet e duarve prej artritit dhe problemeve të tjera shëndetësore, nuk mund të lexojë gjithmonë matësin”, thotë ai për Al Jazeeran. “Koha do të tregojë se sa të arsyeshëm do të jenë”.

Çmimet e gazit natyror janë ngritur në qiell, teksa kërkesa globale për energji është ulur me lehtësimin e kufizimeve ndaj pandemisë së koronavirusit dhe triliona dollarësh fonde stimuluese.

Kjo rritje e madhe e çmimit të energjisë, vlerëson Al Jazeera, ka shkaktuar një valë dështimesh mes furnizuesve të energjisë elektrike në Britaninë e Madhe, duke goditur gati 2 milionë konsumatorë. Mirëpo aktivistët dhe ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se ky problem ka rrezikuar konsumatorët më të dobët. Ata mund të zhyten në varfërinë energjetike, kurse kriza po pengon strategjinë e kalimit në energjinë e gjelbër të Britanisë së Madhe.

Edhe Faturat e rrymës në Britani “fluturojnë” në qiell Botë Faturat e rrymës në Britani “fluturojnë” në qiell

Lëkundjet e tregut

Në pikun e masave për mbrojtje nga Covid-19, konsumimi i energjisë elektrike kishte rënë ndjeshëm së bashku me çmimin e gazit natyror.

Në Britaninë e Madhe shumë furnizues të vegjël të energjisë i përdorën këto luhatje tregu për të tërhequr klientë të rinj me çmime të ulëta.

Mirëpo rritja e çmimeve të gazit natyror gjatë vjeshtës e ka bërë këtë model biznesi të papërshtatshëm ngase furnizuesit e energjisë në Britaninë e Madhe mund të kalojnë vetëm një pjesë të rritjes së çmimeve me shumicë te amvisëritë.

Si rezultat, një grumbull i furnizuesve të vegjël të energjisë elektrike kanë dështuar që prej muajit shtator, duke lënë miliona konsumatorë me kalimin e vështirë te një furnizues të ri nga rregullatori qeveritar Zyra e Tregjeve të Gazit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).

“Prioriteti numër një i Ofgemit është mbrojtja e klientëve. E dimë se kjo është një periudhë shqetësuese për shumë njerëz”, ka thënë një zëdhënës i rregullatorit për Al Jazeeran. “Kufiri i çmimit të energjisë mbulon rreth 15 milionë familje dhe do të garantojë se konsumatorët nuk do të paguajnë më shumë sesa është e nevojshme për këtë dimër”, ka shtuar ai.

Mirëpo ajo që është absolutisht e nevojshme varet prej asaj se kë e pyesni, sepse kulmi i çmimit veçse është i rregulluar.

Çmimorja e fundit që hyri në fuqi më 1 tetor ngriti çmimin për 139 funte për konsumatorët që paguajnë direkt dhe 153 funte për ata që kanë plane parapagimi.

Para kësaj rritjeje më shumë se katër milionë amvisëri në Britaninë e Madhe jetonin në varfëri për karburant, në pamundësi për të përballuar çmimin për të mbajtur të ngrohët shtëpinë tyre, vlerëson End Fuel Poverty Coalition, që ka tërhequr vërejtjen se gjysmë milioni amvisëri do të jenë në rrezik të bashkohen me pjesën tjetër në krizë.

Për më tepër, disa konsumatorë janë plotësisht nën mëshirën e forcave të tregut sepse kufijtë e energjisë – pavarësisht vështirësive të miliona shtëpive – zbatohen vetëm për amvisëritë me tarifë standarde. Të tjerët janë pak të mbrojtur. Ndërkaq ata që varen nga njehsorët e parapagimit janë goxha të rrezikuar.

“Miliona njerëz janë në vështirësi, nuk e dinë se si do ta menaxhojnë ngrohjen këtë dimër, me rritjen e çmimit të karburanteve që vjen në krye të një uljeje të paprecedentë të pagesave të mirëqenies (Kredisë Universale], shkurtimeve të mëtejshme të shërbimeve publike, rritjes së çmimeve të ushqimeve COVID-19 dhe shërbimit shëndetësor të dërrmuar në një nga shtetet më të pasura në botë”, thotë Ruth London, zëdhënëse e grupit të aktivistëve “Fuel Poverty Action”.

London thotë se qeveria mund të bëjë hapa të menjëhershëm, siç është zgjatja e zbritjeve të çmimeve të energjisë përtej pensionistëve e deri te familjet në nevojë. Ajo bën thirrje për zgjidhje afatgjata, si financimi i plotë i programeve të emergjencës për të izoluar dhe rinovuar shtëpitë në Britaninë e Madhe, me qëllim që ato të bëhen më efikase ndaj energjisë dhe ndryshimi i kornizës së çmimeve të energjisë elektrike, e cila ngarkon “një normë më të lartë për ata që kanë më pak dhe ata që përdorin më pak energji”.

Buxheti i fundit i qeverisë, i prezantuar nga Rishi Sunak, ministër i Financave, ka premtuar nxitje të shpenzimeve publike, por nuk përmbante dispozita të veçanta për të ndihmuar amvisëritë që të paguajnë faturat me çmim të rritur të energjisë elektrike – një lëshim që ngjalli kritika të ashpra nga aktivistët e varfërisë së karburanteve.

Adam Scorer, shef ekzekutiv i National Energy Action, organizatë bamirëse për varfërinë e karburanteve, shkroi se “Sunak kishte faturat shtesë të tatimit dhe mekanizmat që ofrojnë mbështetje para dimrit, por ai vendosi të kundërtën. Kostoja e jetesës do të godasë të pambrojturit”.

NEA ka vlerësuar se banka e qeverisë mund të marrë 100 milionë funte shtesë të grumbulluara direkt nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH-në) për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Një tjetër fitim i madh prej 1 miliard funteve shkon drejt Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar falë të ardhurave të “taksave të karbonit” që janë rritur ndjeshëm për shkak të krizës së gazit natyror – duke shtuar katër miliardë dollarë për vitin 2021. Kjo e ka vendosur Sunakun në ulësen e fuqishme.

“Kjo ia jep atij burimet për të ndihmuar më shumë se 2.4 milionë amvisëri në Britaninë e Madhe, të cilat kanë luftuar me çmimin për të mbajtur shtëpitë e ngrohta”, thotë Scorer për Al Jazeeran.

Edhe Bota para ngritjes së madhe të çmimeve Botë Bota para ngritjes së madhe të çmimeve

Fitimet financiare për Thesarin do të mundësonin të paguanin për Winter Fuel Payments për familjet e dobëta të moshës së punës, duke ofruar lehtësim të drejtpërdrejtë në faturat e energjisë elektrike, vlerëson NEA.

“Kjo mbështetje emergjente do të ndihmojë milionë amvisëri gjatë këtij dimri”, thotë Scorer. “Pa të njerëzit do të duhej të zhyteshin në borxhe, ose do të detyrohen të fikin ngrohjen, duke i rrezikuar nga sëmundjet serioze teksa hyjmë në dimër”.

“Të gjithë konsumatorët e shqetësuar për pagesën e faturave të energjisë duhet të kontaktojnë furnizuesit për të parë nivelin e mbështetjes financiare që ofrohet për ata”, ka thënë zëdhënësi i Ofgem.

Çdo mbështetje e tillë do të jetë fort e kërkuar nga njerëzit, thotë Chaitanya Kumar, shef i mjedisit dhe kalimit të gjelbër në New Econoics Foundation (NEF).

“Ka presion të madh mbi familjet që tashmë janë në vështirësi. Me rritjen e faturave të energjisë, uljen e kredisë universale, rritjen e sigurimeve kombëtare, fundin e pushimeve dhe rritjen e pritshme të papunësisë, shto këtu edhe inflacionin, presim që një shtesë prej 2 mijë funteve t’i shtohet listës së shpenzimeve vjetore të amvisërive nga prilli i vitit të ardhshëm”, thotë Kumar.

Shtrydhja e klasës së mesme

Tani kur është emergjencë për më të varfrit e Britanisë, rritja e çmimeve të rrymës ka nisur të rrezikojë edhe shtresën e mesme.

Iwan Williams është pensionist që jeton në shtëpinë ku ka rritur krejt fëmijët në qytetin piktoresk të Colwyn Bay, gjysmë ore larg nga Llandudno. Ka kërkuar që emri i vërtetë të mos i përdoret për këtë raport.

Nga frika e rritjes së çmimit të energjisë në të ardhmen, ai thotë se sapo është pajtuar për të fiksuar faturat (për gaz dhe elektricitet) në 315 funte në muaj për tre vjetët e ardhshëm – gati dyfish sesa mesatarja mujore e faturës prej 175 funteve.

“Kemi gërmuar në kursime për të zëvendësuar një bojler, me shpresën që ta përdorim më pak për të shmangur çmimet e rritura”, thotë Williams për Al Jazeeran.

Williamsi gjithashtu shqetësohet për vjehrrën, duke u kujdesur që ajo të marrë pensionin për të mbajtur të sigurt shtëpinë nga të ftohtit.

“Nëse ndihemi kështu me të ardhura vjetore prej 45 mijë funteve dhe 100 mijë funtesh kursime, si ia dalin ata që kanë më pak pasuri se ne?”, pyet ai.

Me COP26, konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, që do të nisë të dielën në Glasgou, qasja e Britanisë ndaj konsumit të energjisë është në qendër të vëmendjes. Ndërkaq ngritja e çmimit të gazit veçse ka pasur ndikim në strategjinë për zero karbon deri në vitin 2050.

“Pjesë e agjendës zero ishte që të shtrenjtohet gazi dhe të përdorej ajo tarifë për masat e gjelbra, mirëpo kjo është lënë anash”, thotë Kumar.

Çmimi i gazit gjithashtu ka ndikim personal te njerëzit dhe komunitetet e tyre, thotë David Peacock. Britanikët me kujdes të shtuar po presin për dimrin e gjatë dhe goxha të ftohtë.

“Si shumë të tjerë, me ose pa nevoja të veçanta, kjo është një kohë shqetësuese”, thotë Peacock. “E ardhmja ka mjaft gjëra fizike për të gjithë ne, pa pasigurinë financiare nëse kostoja gjithnjë në rritje e karburantit mund të ndikojë më tej në shëndetin tonë”.

Edhe Hasaj: Subvencionimi i energjisë, kërkesë e mirëkuptueshme Arbëri Hasaj: Subvencionimi i energjisë, kërkesë e mirëkuptueshme

Përgatiti: Gent Mehmeti

FOTOLEGJENDA: Ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit natyror ka nxitur shqetësime te britanikët e rënduar nga pandemia e koronavirusit. Ngritja e çmimit të rrymës ka goditur gati 2 milionë konsumatorë në Britani të Madhe