Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kremlini, Perëndimi dhe “histeria” për Navalnyn

“Histeria që e kemi parë rreth procesit ligjor ndaj Navalnyt është jashtë çdo norme”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Moskë, 3 shkurt (AP) – Rusia ka akuzuar të mërkurën Perëndimin që po i përulet histerisë rreth burgosjes së politikanit opozitar, Alexei Navalny, ndërsa Kremlini ka njoftuar se politika ka të drejtë që ta përdorë forcën për t’i shpërndarë protestat rreth arrestimit të tij.

Një gjykatë në Moskë ka dënuar të martën kritikun e zëshëm të presidentit Vladimir Putin me tre vjet e gjysmë burgim, shkaku i shkeljes së kritereve të lirisë me kusht. Dënimin, Navalny e ka cilësuar si masë për anashkalimin e tij politikisht, shmangien e thirrjeve të Perëndimit dhe thirrjeve përbrenda vendit për lirim.

Mbështetësit e Navalnyt kanë tentuar që të mblidhen nëpër rrugë në demonstrim të mbështetjes gjatë shqiptimit të vendimit, ndërsa pas kësaj kanë protestuar masivisht, duke i nxitur autoritetet që t’i mbyllin disa prej stacioneve qendrore të metrosë dhe të arrestojnë më shumë se 1.400 persona, ka bërë të ditur një monitorues i protestës.

Aleatët e Navalnyt kanë akuzuar policinë për ndalimin e protestës publike dhe për përdorimin e forcës së tepruar dhe dhunës për t’i ndalur tubimet.

Edhe Rusia u kërkon vendeve evropiane prova për akuzat se ka vrarë Navalnyn Botë 5 muaj më parë Rusia u kërkon vendeve evropiane prova për akuzat se ka vrarë Navalnyn

Kremlini ka argumentuar se përgjigja e policisë të hënën vonë ishte e justifikuar, ngase protestat ishin të paligjshme dhe të paautorizuara. Zëdhënësi Dmitry Peskov ka akuzuar aleatët e Navalnyt për nxitjen e qëllimshme të policisë, duke thirrur protesta në afërsi të Kremlinit.

“Reagimi i policisë është përgjigje ndaj kërcënimeve që do të mund të buronin prej mbajtjes së një proteste të tillë”, ka thënë ai të mërkurën. “Provokimet përkojnë me faktin se dje ka pasur thirrje për protesta të pasanksionuara”.

Mirëpo, mbështetësit e politikanit opozitar kanë vënë në qarkullim pamjet nga vendi i ngjarjes ku, sipas tyre, policia kishte përdorur dhunë. Mes pamjeve të shpërfaqura është edhe njëra që e tregon një polic duke e goditur një kameraman me shkop dhe duke e lënë të shtrirë përtokë.

Peskov ka thënë se incidenti është duke u shqyrtuar nëpërmjet një hetimi të brendshëm.

Edhe Kremlini mohon akuzat se ka helmuar Navalnyn me toksinë bretkose Botë 5 muaj më parë Kremlini mohon akuzat se ka helmuar Navalnyn me toksinë bretkose

Vendet perëndimore i kanë adresuar thirrje Moskës për lirimin e Navalnyt, mirëpo Rusia është kundërpërgjigjur duke i udhëzuar ato që të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendit.

“Histeria që e kemi parë rreth procesit ligjor ndaj Navalnyt është jashtë çdo norme”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.