Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja e Veriut s’raporton asnjë të infektuar me koronavirus

Koreja e Veriut

Koreja e Veriut i ka thënë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se kanë testuar mbi 30 mijë persona deri më 10 qershor, mirëpo nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv.

Siç njofton OBSH-ja, janë duke monitoruar raportet e testimeve në Korenë e Veriut, ku gjatë periudhës 4-10 qershor janë testuar 733 persona, 149 prej tyre kishin sëmundje të ngjashme me gripin apo të tjera respiratore, shkruan Associated Press.

Ekspertët kanë ngritur dyshime nga raportimet e autoriteteve koreane për shifrat e publikuara, për shkak se sipas tyre, ky shtet ka infrastrukturë të dobët shëndetësore dhe kufi të zbehtë me Kinën.

Koreja e Veriut ka ndaluar vizitat e turistëve, ka dëbuar diplomatët dhe ka kufizuar rreptësisht trafikun ndërkombëtar dhe tregjet.

Udhëheqësi Kim Jong Un deklaroi javën e kaluar se u ka bërë thirrje zyrtarëve që t’i mbështesin kufizimet e zgjatura kundër koronavirusit.