Botë

Koreja e Veriut do ta dëbojë ushtarin amerikan që u fut në territorin e saj në korrik

Koreja e Veriut ka thënë të mërkurën se do ta dëbojë ushtarin amerikan që ishte futur në territorin e saj në korrik, raporton agjencia AP.

Agjencia Koreane e Lajmeve (KCNA) ka thënë se autoritetet kanë përfunduar marrjen në pyetje të Travis Kingut. Nuk ka treguar se kur autoritetet planifikojnë ta dëbojnë apo se ku planifikojnë ta dërgojnë.
King, që po shërbente në Kore të Jugut, nxitoi dhe u fut në Kore të Veriut më 18 korrik. Ai u bë amerikani i parë i konfirmuar si i paraburgosur në Kore të Veriut që nga viti 2018.

Koreja e Veriut kishte thënë se King ka pranuar se ka hyrë ilegalisht pasi ishte lodhur “nga maltretimi çnjerëzor dhe diskriminimi racor” në Ushtrinë e SHBA-së.