Koreja e Veriut ka thënë të hënën se dënon fuqimisht sulmet e SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane si një shkelje të rëndë të interesave të sigurisë dhe të drejtave territoriale të një shteti sovran, ka raportuar media shtetërore e Veriut.
“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë fajtorët e tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme, të lindura nga "lëvizjet e pandërprera të luftës dhe zgjerimi territorial" i Jerusalemit, të pranuara dhe të inkurajuara nga Perëndimi", ka thënë ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, raporton Reuters.
"Koreja e Veriut denoncon fuqimisht sulmin ndaj Iranit nga SHBA-ja, i cili... shkeli me dhunë integritetin territorial dhe interesat e sigurisë së një shteti sovran", ka thënë zëdhënësi i paidentifikuar në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA.
Irani dhe Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore kanë ruajtur lidhje miqësore dhe janë dyshuar për dekada të tëra për bashkëpunim ushtarak, përfshirë zhvillimin e raketave balistike.
Një panel ekspertësh që monitorojnë sanksionet e OKB-së, tani i shfuqizuar, ka thënë në vitin 2021 se të dy vendet kanë rifilluar bashkëpunimin në projektet e zhvillimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, përfshirë transferimin e pjesëve kritike.
"Pheniani mund të ofrojë ndihmë ndaj Iranit për të rindërtuar objektet e shkatërruara të prodhimit të raketave, përfshirë ndoshta edhe vendet e reja për të shmangur shqyrtimin”, ka thënë Ankit Panda, i Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare me seli në SHBA.
Koreja e Veriut ka ndërmarrë hapa të paprecedentë vitin e kaluar për të thelluar ndihmën ushtarake ndaj Rusisë, një partnere tjetër e Iranit, duke dërguar mijëra trupa, si dhe raketa balistike dhe armë të tjera për t'u përdorur në luftimet kundër Ukrainës, sipas burimeve të inteligjencës amerikane, ukrainase dhe të tjera.
