Ushtria e Izraelit (IDF) ka pretenduar se ka sulmuar gjashtë aeroporte në Iran dhe se ka shkatërruar 15 aeroplanë e ka dëmtuar pistat e aeroporteve, transmeton “BBC”. 

Në një postim në rrjetet sociale IDF-ja ka thënë se janë shënjestruar aeroportet në perëndim, lindje dhe pjesën qendrore të Iranit. 

Po ashtu tha se në sulmet me dronë ka shkatërruar aeroplanë F-15 dhe F-5, e po ashtu helikopter AH-1 Cobra. 

Pretendoi se janë dëmtuar disa bunkerë nëntokësorë. 

Nuk ka specifikuar saktë se kur ka ndodhur sulmi. Ky sulm nuk është konfirmuar as nga Irani. 

Në orët e hershme të së hënës Izraeli ka nisur sulme të reja në perëndim të Iranit dhe në kryeqendër Teheran. 

Rreth 20 aeroplanë ushtarakë janë përfshirë në sulmet në qytetin perëndimor të Kermanshahut. 

E të dielën mbrëma u mbajt një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar lidhur me sulmin e SHBA-së ndaj tri objekteve bërthamore të Iranit. Përfaqësuesi i Izraelit pretendoi se gjithë bota duhet ta falënderoi presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa ai i Iranit kritikoi sulmin amerikan. 

E presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmendi mundësinë e “ndërrimit të regjimit” në Iran. 

Ai pyeti se “pse të mos ndërrohej” nëse regjimi aktual “nuk po e bën Iranin madhështor sërish”. 

Ai po ashtu tha se dëmet në objektet bërthamore të Iranit janë masive. 

E ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka arritur në Moskë, ku do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin. 

Pas SHBA-së edhe Izraeli godet objektin bërthamor “Fordow”

42 min. më parë / 23 qer 2025 12:25
Fordow

Objekti bërthamor “Fordow” i Iranit është vënë përsëri në shënjestër, kanë raportuar të hënën disa agjenci lajmesh të lidhura me shtetin iranian, duke cituar zëdhënësin e provincës Qom, ku ndodhet vendi.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim ia atribuoi sulmin Izraelit.

"Nuk do të ketë rrezik ose kërcënim për qytetarët", ka thënë zëdhënësi i provincës Qom, sipas ISNA-s.

SHBA-ja ka kryer të shtunën në mbrëmje sulme kundër tre prej vendeve kryesore bërthamore të regjimit iranian, përfshirë Fordow.

Fordow është një nga vendet më të rëndësishme bërthamore të Iranit, i varrosur thellë brenda një mali për ta mbrojtur atë nga sulmet.

Izraeli godet burgun famëkeq iranian Evin

48 min. më parë / 23 qer 2025 12:19
Iran

Photo: Associated Press

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka thënë se Izraeli aktualisht po sulmon objektiva qeveritare iraniane thellë brenda kryeqytetit iranian, Teheranit, duke përfshirë burgun famëkeq Evin.

Objektiva të tjerë përfshijnë selinë e sigurisë së Gardës Revolucionare paraushtarake, Sheshin e Palestinës dhe korpusin vullnetar paraushtarak Basij, i cili është pjesë e Gardës Revolucionare.

"Diktatori iranian do të ndëshkohet me forcë të plotë për sulmin ndaj frontit të brendshëm izraelit", ka thënë Ministria e Mbrojtjes.

Irani sulmon Izraelin pas sulmeve të SHBA-së mbi objektet e tij bërthamore

1 o. më parë / 23 qer 2025 11:19
Iran

Photo: Associated Press

Irani ka lëshuar ​​një breshëri raketash dhe dronësh të hënën drejt Izraelit, duke paralajmëruar gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ushtrisë së saj i është dhënë liria për të sulmuar objektivat amerikane pas sulmeve masive të administratës Trump në vendet bërthamore iraniane.

Raportohet se të paktën 8,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në Izrael si pasojë e sulmeve. 

Ndërkohë, kreu i mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuaraka thënë të hënën se "dëme shumë të rënda" priten në objektin nëntokësor të Iranit në Fordo pas një sulmi ajror amerikan atje me bomba të sofistikuara bunker-shkatërruese, raporton AP.

Me sulmet e së dielës në vendet bërthamore iraniane, Shtetet e Bashkuara u futën në luftën e Izraelit, duke shkaktuar frikën e një konflikti më të gjerë rajonal. Irani ka thënë se SHBA-ja ka kaluar "një vijë të kuqe shumë të madhe" me hapin e saj të rrezikshëm për të goditur tri vendet me raketa dhe bomba bunker-shkatërruese 30,000 paundëshe.

Izraeli ka thënë se sistemet e tij të mbrojtjes po funksionojnë për të kapur kërcënimin e fundit iranian, i cili duket se synonte zonat veriore dhe qendrore të vendit.

Irani e ka ka përshkruar sulmin si një valë të re të Operacionit të tij “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se ai kishte në shënjestër qytetet izraelite të Haifës dhe Tel Avivit, sipas televizionit shtetëror iranian.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Jerusalem. Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për dëme.

Në Iran, dëshmitarët raportuan se sulmet ajrore izraelite goditën zonat përreth kryeqytetit të Iranit, Teheran, në mesditë. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ishte shënjestruar.

Khamenei dërgon kryediplomatin iranian në Moskë për të kërkuar ndihmë nga Putini

2 o. më parë / 23 qer 2025 11:02
Donald Trump, Vladimir Putin, Ayatollah Ali Kahemeni

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka dërguar ministrin e tij të jashtëm në Moskë të hënën për t'i kërkuar presidentit, Vladimir Putin më shumë ndihmë nga Rusia pas veprimit më të madh ushtarak të SHBA-së kundër Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979, gjatë fundjavës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Izraeli kanë spekuluar publikisht rreth vrasjes së udhëheqësit suprem, Khamenei, dhe rreth ndryshimit të regjimit, një hap që Rusia ka frikë se mund ta çojë Lindjen e Mesme në humnerë, raporton Reuters.

Ndonëse Putini i ka dënuar sulmet izraelite, ai ende nuk ka komentuar mbi sulmet e SHBA-së ndaj vendeve bërthamore iraniane, megjithëse javën e kaluar ka bërë thirrje për qetësi dhe ka ofruar shërbimet e Moskës si ndërmjetës mbi programin bërthamor.

Një burim i lartë i ka thënë Reuters se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, do t'i dorëzonte një letër nga Khamenei Putinit, duke kërkuar mbështetjen e këtij të fundit.

Irani nuk është impresionuar nga mbështetja e Rusisë deri më tani, kanë thënë burime iraniane për Reuters, dhe vendi dëshiron që Putini të bëjë më shumë për ta mbështetur atë kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Burimet nuk kanë dhënë detaje se çfarë ndihme dëshironte Teherani.

Kremlini ka thënë se Putini do ta priste Araqchin, por nuk ka bërë të ditur se çfarë do të diskutohej.

Araqchi është cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS të ketë thënë se Irani dhe Rusia po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi përshkallëzimin aktual në Lindjen e Mesme.

Rusia, një aleate e vjetër e Teheranit, luan një rol në negociatat bërthamore të Iranit me Perëndimin si një anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe një nënshkruese e një marrëveshjeje të mëparshme bërthamore që Trumpi e ka braktisur gjatë mandatit të tij të parë në 2018.

Por Putini, ushtria e të cilit po lufton një luftë të madhe në Ukrainë e cila ndodhet në vitin e katër, deri më tani ka treguar interesim për t'u zhytur në një konfrontim me Shtetet e Bashkuara mbi Iranin, ndërkohë që Trumpi kërkon të rregullojë lidhjet me Moskën.

Kallas: Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme

2 o. më parë / 23 qer 2025 10:29
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Mbyllja nga Irani e Ngushticës së Hormuzit do të ishte e rrezikshme dhe "jo e mirë për askënd", ka dekalaruar të hënën diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

"Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzim të kësaj lufte janë të mëdha, veçanërisht mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani është diçka që do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe jo e mirë për askënd", u ka thënë Kallas gazetarëve përpara një takimi me ministrat e jashtëm të BE-së.

Press TV iranian ka raportuar të dielën se Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit duhej të merrte një vendim përfundimtar nëse do ta mbyllte ngushticën, pasi u raportua se parlamenti e ka mbështetur masën.

Rreth 20% e kërkesës globale për naftë dhe gaz rrjedh përmes Ngushticës së Hormuzit. 

Koreja e Veriut dënon sulmin e SHBA-së ndaj Iranit

2 o. më parë / 23 qer 2025 10:23
Kim Jong un

Photo: Associated Press

Koreja e Veriut ka thënë të hënën se dënon fuqimisht sulmet e SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane si një shkelje të rëndë të interesave të sigurisë dhe të drejtave territoriale të një shteti sovran, ka raportuar media shtetërore e Veriut. 

“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë fajtorët e tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme, të lindura nga "lëvizjet e pandërprera të luftës dhe zgjerimi territorial" i Jerusalemit, të pranuara dhe të inkurajuara nga Perëndimi", ka thënë ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, raporton Reuters.

"Koreja e Veriut denoncon fuqimisht sulmin ndaj Iranit nga SHBA-ja, i cili... shkeli me dhunë integritetin territorial dhe interesat e sigurisë së një shteti sovran", ka thënë zëdhënësi i paidentifikuar në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA.

Irani dhe Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore kanë ruajtur lidhje miqësore dhe janë dyshuar për dekada të tëra për bashkëpunim ushtarak, përfshirë zhvillimin e raketave balistike.

Një panel ekspertësh që monitorojnë sanksionet e OKB-së, tani i shfuqizuar, ka thënë në vitin 2021 se të dy vendet kanë rifilluar bashkëpunimin në projektet e zhvillimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, përfshirë transferimin e pjesëve kritike.

"Pheniani mund të ofrojë ndihmë ndaj Iranit për të rindërtuar objektet e shkatërruara të prodhimit të raketave, përfshirë ndoshta edhe vendet e reja për të shmangur shqyrtimin”, ka thënë Ankit Panda, i Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare me seli në SHBA.

Koreja e Veriut ka ndërmarrë hapa të paprecedentë vitin e kaluar për të thelluar ndihmën ushtarake ndaj Rusisë, një partnere tjetër e Iranit, duke dërguar mijëra trupa, si dhe raketa balistike dhe armë të tjera për t'u përdorur në luftimet kundër Ukrainës, sipas burimeve të inteligjencës amerikane, ukrainase dhe të tjera.

Komandanti i lartë iranian paralajmëron hakmarrje ndaj SHBA-së

3 o. më parë / 23 qer 2025 09:40
Abdolrahim Mousavi

Foto: AFP

Komandanti i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë hapur derën për hakmarrje, ndërsa ka thënë se “nuk do të tërhiqemi kurrë”. Deklarata është transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, raporton “CNN”. 

Gjeneralmajori Abdolrahim Mousavi, shef i Forcave të Armatosura të Iranit, tha se “Amerika kriminale ka hapur derën për luftëtarët e islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj dhe ne s’do të tërhiqemi kurrë në këtë drejtim”. 

Mousavi tha se SHBA-ja ka “hyrë drejtpërdrejtë në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke shkelur tokën e shenjtë të vendit tonë”. 

Mesazhi i tij është i fundit në një sërë deklaratash që kanë dhënë komandantët e lartë ushtarakë iranianë të hënën.  Ata kanë paralajmëruar hakmarrje pasi SHBA-ja goditi tri objekte bërthamore të Iranit një ditë më parë.

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Ebrahim Zolfaghari, tha se SHBA-ja do të pendohet. 

“Trump bixhozçi, ti mund të nisësh një luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë”, tha Zolfaghari.