Armenia dhe Azerbajxhani të enjten u pajtuan për një armëpushim të ri. Qëkur rinisi konflikti, të martën e 13 shtatorit, në të dyja anët u regjistruan qindra të vrarë, derisa secila akuzoi palën tjetrën për nxitje të konfliktit, raportoi Reuters të enjten.
Armenia dhe Azerbajxhani, si vende të ish-bllokut sovjetik në Kaukazin jugor, luftuan që nga vitet 1990-të për Nagorno-Karabakhun, territor azerbajxhas, por që është i populluar nga armenët etnikë, të mbështetur nga Armenia. Lufta nxiti reagimin botëror. Rusia edhe kësaj radhe u përfshi në tentativë për t'i pajtuar palët.
Më 2020, kur luftimet u intensifikuan për gjashtë javë rresht, Azerbajxhani fitoi territorialisht në dhe rreth Nagorno-Karabakhut. Luftimet u ndërprenë me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, po pavarësisht trupave paqeruajtëse ruse në atë zonë, luftime lokale ka pasur.
Në analizën e Reutersit, thuhet se lufta në Ukrainë ka minuar pozicionin e Moskës zyrtare për ta garantuar paqen në atë rajon. Kjo, sipas mediumit, mund të ketë nxitur Azerbajxhanin për më shumë pretendime.
“Unë mendoj se ka një ndjenjë në Azerbajxhan se tani është koha për ta vendosur fuqinë e tij, avantazhin ushtarak dhe ta nxjerrë maksimumin që mundet”, ka deklaruar Laurence Broers, bashkëpunëtor në Programin e Rusisë dhe të Euroazisë.
Palët e përfshira në konflikt nuk pajtohen plotësisht për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Një konflikt i zgjeruar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, do të mund të shkaktonte shtim të luftimeve mes fuqive rajonale, Rusisë e Turqisë.
Turqia mbështet hapur Azerbajxhanin.
Kjo do të çonte drejt një destabilizimi të Kaukazit jugor, një korridor i rëndësishëm për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz dhe në kohën kur lufta në Ukrainë ndërpreu furnizimin e Evropës me gazin rus. Moska, në anën tjetër, ka aleancë mbrojtëse me Armeninë dhe posedon një bazë ushtarake atje, derisa Ankaraja mbështet të afërmit e saj etnikë turq në Azerbajxhan.
Reutersi shkruan se një luftë e mundshme mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, do të krijonte nevojën për më shumë paqeruajtës, në një kohë kur Moska s'mund t’i sigurojë ata.