Botë

Armenia dhe Azerbajxhani drejt nënshkrimit të traktatit të paqes

Armenia dhe Azerbajxhani kanë rënë dakord të enjten që të shkëmbejnë të burgosurit e luftës si dhe të punojnë drejt nënshkrimit të një traktati paqeje në atë që Bashkimi Evropian e përshkroi si një hap të madh drejt paqes në rajonin e trazuar prej kohësh.

Të dy vendet thanë në një deklaratë të përbashkët se "ndajnë pikëpamjen se ekziston një shans historik për të arritur një paqe të shumëpritur", shkruan Associated Press.

Ata thanë se synojnë “të normalizojnë marrëdhëniet dhe të arrijnë traktatin e paqes në bazë të respektimit të parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Azerbajxhani zhvilloi një fushatë të rrufeshme ushtarake në shtator në rajonin separatist të Nagorno-Karabakh. Ofensiva i dha fund sundimit prej tre dekadash atje nga armenët etnikë dhe rezultoi në largimin e shumicës dërrmuese të 120 mijë banorëve nga rajoni, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Deri në njoftimin e së enjtes, të dy vendet kishin debatuar ashpër mbi skicën e një procesi paqeje mes mosbesimit të ndërsjellë.

Si pjesë e marrëveshjes, Armenia ra dakord të heqë kundërshtimet e saj ndaj Azerbajxhanit që do të presë konferencën ndërkombëtare të vitit të ardhshëm mbi ndryshimin e klimës.

Vendet nuk kishin qenë në gjendje të binin dakord për një mikpritës të Evropës Lindore për bisedimet e klimës në vitin 2024, me Rusinë duke vënë veton ndaj vendeve të BE-së dhe Azerbajxhanin dhe Armeninë që kundërshtonin njëra-tjetrën. Vendimi për vendndodhjen dhe presidencën e mbledhjes pritet brenda javës së ardhshme.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Republika e Armenisë mbështet ofertën e Republikës së Azerbajxhanit për të pritur Sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve (COP29) të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, duke tërhequr kandidaturën e saj”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vlerësoi marrëveshjen si një përparim të madh, duke thënë në X se ai mirëpret veçanërisht marrëveshjen për lirimin e të burgosurve dhe për të bërë një "hapje të paprecedentë në dialogun politik".

Michel i bëri thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të finalizojnë një marrëveshje paqeje sa më shpejt të jetë e mundur.

Armenia dhe Azerbajxhani thanë në deklaratën e tyre se bisedimet midis administratës presidenciale të Azerbajxhanit dhe zyrës së kryeministrit të Armenisë çuan në një marrëveshje "për marrjen e hapave të prekshëm drejt ndërtimit të besimit midis dy vendeve".

Azerbajxhani tha se do të lirojë 32 ushtarakë armenë të kapur, ndërsa Armenia u dakordua t’i lirojë dy ushtarë azerbajxhanas.

Të dy vendet thanë se do të vazhdojnë diskutimet e tyre në lidhje me zbatimin e më shumë masave të ndërtimit të besimit” dhe i kërkuan komunitetit ndërkombëtar për mbështetje që do të kontribuojë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë midis dy vendeve”.