Gjykata më e lartë e Francës ka konfirmluar dënimin ndaj ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, lidhur me financimin e paligjshëm të fushatës së tij për rizgjedhje në vitin 2012.
Ai u shpall fajtor për tejkalimin e shpenzimeve të fushatës dhe për punësimin e agjencisë së marrëdhënieve me publikun Bygmalion, e cila ndihmoi në fshehjen e kostove, raporton BBC.
Në vitin 2024, Sarkozy, 70 vjeç, mori një dënim prej një viti, nga i cili gjashtë muaj janë me kusht.
Ai ka mohuar gjithmonë akuzat. Sipas prokurorëve, partia e tij UMP shpenzoi gati dyfishin e kufirit prej 22.5 milionë eurosh të lejuar për fushatën.
Shpenzimet më të mëdha ishin për tubime dhe aktivitete të kushtueshme. Për të fshehur kostot, UMP i kërkoi agjencisë Bygmalion që të faturonte partinë, e jo fushatën zgjedhore. Ky është dënimi i dytë përfundimtar për ish-presidentin, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012.
Në dhjetorin e kaluar, Gjykata e Lartë e Apelit la në fuqi një dënim për korrupsion, dhe Sarkozy u detyrua të mbante një byzylyk elektronik për gjashtë muaj. Më pas, në shtator, ai u dënua me pesë vjet burg pasi u shpall fajtor për komplot kriminal.
Sarkozy qëndroi 20 ditë në burg përpara se të lirohej në fillim të këtij nëntori. Vitin e ardhshëm do të zhvillohet një apel i ri. Deri atëherë, Sarkozy do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë gjyqësore dhe i ndalohet të largohet nga Franca.